Berisha; Deputetët, pa vetura dhe shoferë
Deputetët e Parlamentit shqiptar nuk do kenë më privilegjet e mëparshme, pasi tani e tutje ata do të udhëtojnë pa vetura dhe shoferë. Nga ky privilegj, ligjvënësit duhet të heqin dorë vetëm 8 muaj para zgjedhjeve të reja të përgjithshme. Kjo, për faktin se Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje ndryshimin e ligjit "Për statusin e deputetit", i cili sipas tij, "është i bazuar mbi babëzinë". Në një mbledhje jashtë radhe, Këshilli i Ministrave mori dje në shqyrtim strategjinë ndërsektoriale të parandalimit dhe luftës kundër korrupsionit dhe qeverisjen transparente për vitet 2008-2013. Në këtë kuadër, Kryeministri Berisha u ndal te situata në Parlamentin shqiptar, të cilën e konsideroi absolutisht të papajtueshme me standardet evropiane. "Është e papajtueshme nëse deputetët shqiptarë mbajnë vetura dhe shoferë personalë, në kurriz të taksapaguesve", - tha kreu i qeverisë. Z. Berisha nënvizoi se "kështu ne nuk mund të bindim asnjë njeri me vullnetin e madh që kemi për të luftuar me zero tolerancë korrupsionin". Korrupsioni, cilësoi ai, është abuzimi me fondet dhe nuk ka rëndësi nëse kjo bëhet në mënyrë të hapur apo të mbyllur. Para anëtarëve të kabinetit qeveritar, Berisha vuri në dukje se nuk ka asnjë vend në botë ku deputeti merr të paktën 1.5 herë më shumë se Kryeministri, dhe kjo nëpërmjet dietave të ndryshme". Por shtoi ai, "më shqetësues është fakti se deputeti shqiptar është i vetëm në Evropë, që mban vetura dhe shofer me fondet e shtetit". Kryeministri Berisha e vlerësoi luftën kundër korrupsionit, si luftë për të ardhmen, për fatin dhe destinacionin evropian të qytetarëve shqiptarë, pasi sipas tij, "në vendimet e fundit të Komisionit Evropian korrupsioni është “shpata e Demokleut” mbi procesin e integrimit në BE". Në këtë linjë Berisha u shpreh se "tingëllon absolutisht e shëmtuar kur dëgjon se ka një vend të varfër në Evropë, por që parlamentarët e tij janë me shoferë dhe vetura". "Ky është standard babëzie dhe nuk është standard evropian. Është tejkaluar diktatura, pasi edhe pse atëherë deputeti i përkiste një regjimi totalitar, nuk ka pasur veturë, por u priteshin biletat e linjës", - tha Kryeministri Berisha. Gjithashtu, sipas tij, "duhet të vendoset në mënyrë të hekurt transparenca e plotë në të ardhurat e partive, pasi nuk mund të luftohet korrupsioni pa transparencë në të ardhurat e partive". Ndërkaq ai Kryeministridje iu drejtua sërish opozitës me thirrjen për të zgjidhur përfundimisht çështjen e heqjes së imunitetit. Sipas tij, imuniteti është pengesa kryesore për luftën kundër korrupsionit. Berisha kërkoi dje konsensusin e opozitës për të hequr imunitetin. “Shqipëria duhet të shembë murin e imuniteteve. Nuk mund të shkojmë në BE pa luftuar korrupsionin”, - theksoi në mbledhjen e qeverisë Kryeministri Berisha. Sipas kreut të qeverisë shqiptare, Shqipëria është në vëmendje të Komisionit Evropian i cili po “monitoron me lupë”, - siç u shpreh Berisha, - rezultatet e luftës kundër korrupsionit.
“Pavarësia e institucioneve është jetike”
Këshilli i Ministrave shqyrtoi dje strategjinë ndërsektoriale të parandalimit dhe luftës kundër korrupsionit për vitet 2008-2013. Kryeministri Sali Berisha e cilësoi këtë si strategjinë e të gjitha strategjive, pasi, sipas tij, "asgjë nuk është e lidhur më ngushtë me suksesin e të gjitha strategjive të tjera, sa suksesi në luftën kundër korrupsionit". Duke nënvizuar se pavarësia e institucioneve është jetike për luftën kundër korrupsionit, Kryeministri u shpreh se askush më shumë se mazhoranca nuk është e interesuar për pavarësinë e institucioneve. “Lufta kundër korrupsionit duhet të shtrihet në të gjitha institucionet. Askush më shumë se kjo mazhorancë nuk ka interes absolut për pavarësinë e institucioneve. Duhet të jemi realist se në një vend të lirë asgjë nuk rëndon më shumë pavarësinë e tyre sesa korrupsioni. Korrupsioni ka varësi nga krimi, nga abuzimi, nga shpërfytyrimi moral”, - deklaroi z. Berisha. "Synimi ynë kryesor duhet të jetë renditja e Shqipërisë në grupin e 20 vendeve të para në raportin e BB-së "Si të bësh biznes". Korrupsioni është etaloni kryesor i vlerësimit të vendeve në procesin e integrimit, ndaj lufta kundër tij duhet të shtrihet në të gjitha institucionet", - theksoi Kryeministri Berisha. Kryeministri u shpreh se në këtë kontekst do të vazhdojnë reformat në sistemin e drejtësisë, të cilat synojnë forcimin e pavarësisë dhe transparencën e veprimtarisë së tyre. Ai pohoi se “drejtuesit e këtyre institucioneve janë të ftuar të kontribuojnë në realizmin e këtyre reformave, sikundër janë të ftuar të përdorin gjithë integritetin e tyre personal për t’i dhënë përgjigjen më ndëshkuese rasteve korruptive në këtë institucion”. Kryeministri kërkoi nga të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar rishqyrtimin e çdo procedure të veprimtarisë së tyre, në funksion të transparencës sa më të plotë.