Topi takon drejtoreshën e USAID-it
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, vlerësoi dje mbështetjen e vazhdueshme dhe të gjithanshme që SHBA i ka dhënë Shqipërisë, si në kuadrin e integrimit në NATO, po ashtu edhe në konsolidimin e demokracisë shqiptare. Kreu i shtetit priti sot në një takim drejtoren e re të USAID-it në Shqipëri, Roberta Mahonei, e cila shoqërohej nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Dr. John L. Ëithers II. Duke shprehur konsideratën për rolin mjaft të rëndësishëm që ky organizëm ka luajtur në ecurinë pozitive të proceseve demokratike në vendin tonë, Presidenti Topi veçoi kontributin që USAID-i ka dhënë në konsolidimin e shoqërisë civile, si dhe për zhvillimin progresiv në fushën e ekonomisë, kulturës, shëndetësisë etj. Presidenti Topi nënvizoi interesimin e shtetit shqiptar për vijimin e projekteve të zhvillimit që USAID ka ndërmarrë në vendin tonë, të cilat, sipas tij, "i shërbejnë përparimit të mëtejshëm të Shqipërisë edhe në drejtim të përmbushjes së standardeve të integrimit të saj euroatlantik". Ndërsa, drejtorja e re e USAID-it në vendin tonë, Roberta Mahonei, shprehu vlerësimin për reformat e gjithanshme të ndërmarra në Shqipëri. Në këtë drejtim, ajo theksoi rëndësinë që kanë për një vend demokratik e aspirues për të qenë anëtar i familjes euro-atlantike, konsolidimi i shtetit të së drejtës, ruajtja dhe forcimi i institucioneve të pavarura, lufta kundër korrupsionit dhe një sistem drejtësie i pavarur, i shëndoshë dhe i barabartë për të gjithë.