Berisha: Dialog konstant me biznesin, zhvillim jeshil të vendit
Kryeministri Sali Berisha ka garantuar investitorët se qeveria do të marrë të gjitha masat e nevojshme dhe krijimin e lehtësirave për investitorët. Duke folur në panairin e forumit të biznesit (FIA), Berisha theksoi se qeveria është e vendosur për zhvillimin jeshil e të qëndrueshëm të vendit.
Ai ka premtuar dialog konstant me biznesin në mënyrë që të kapin horizonte të reja si në kuadrin ligjor ashtu edhe në tërësi zgjidhjen e çdo pengese burokratike, por edhe hapjen e perspektivave të reja.
“Shqipëria është vend i vogël, por me mundësi të mëdha. Nga 90 deri në 2011 ka ritme kineze urbanizimi, ndër ritmet më të larta, kjo është e vërteta. Shqipëria në këtë rajon nga viti 2006 -2011 ka shënuar rritje 316% të investimeve të huaja, ka trefishuar eksportet e saj, nga 2009-2011 ka dyfishuar eksportet dhe vendi është vetëm në fillimet e shfrytëzimit të potencialeve të mëdha” shtoi Berisha.
Ai ka theksuar më tej se shanset që në Shqipëri të kalojë projekti TAP, i cili sipas tij është projekti më madh i Europës në këtë dekadë janë reale. “Janë reale dhe vijnë gjithnjë e më shumë në ngjitje” shtoi.
Kryeministri Berisha u ndal tek urbanizimi i vendit, duke i krahasuar ritmet e këtij procesi të ngjashme me ato të Kinës. “Vij këtu nga një konferencë urbanizimi. Para se të shkoja në atë konferencë u detyrova t’i hedh një vështrim procesit të urbanizimit në planet dhe gjej se në këtë kohë Kina në 20 vite është urbanizuar aq sa Britania në 80 vjet. Shqipëria nga vitet 90 deri në 2011-ën ka ritme kineze urbanizimi, ndër ritmet më të larta" theksoi ai.