Ruçi: Maxhoranca nuk mban më, Patozi: Nuk keni këllqe për ta rrëzuar qeverinë

Astrit Patozi dhe Gramoz Ruçi
Mënyra e zgjedhjes së anëtarit më të ri të KLD-së gjatë seancës së të enjtes së kaluar vijon të jetë në qendër të debatit parlamentar edhe sot.
Në nisje të seancës së sotme në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, u shpreh se votimi i të enjtes së kaluar provoi se maxhoranca ra rënë.
Ruçi e cilësoi rrënim të parimeve demokratike të zgjedhjes me votë të lirë votimin e Elvis Cefës në postin e anëtarit të KLD-së, duke theksuar se maxhorancës së përfshirë në afera korruptive i duhen patjetër njerëzit e vet në institucionet e drejtësisë.
Të enjten që shkoi, ne erdhëm në sallë për të përmbushur detyrimin kushtetues për KLD. Provuam se maxhoranca juaj nuk mban më. Ju jeni përfshirë në korrupsion dhe keni nevojë për gjyqtarë. Ju e keni jetik pushtetin, qoftë edhe me një votë për KLD-në. Kjo nevojë përcakton axhendën tuaj.Të enjten që shkoi dhatë një provë të rrënimit të parimeve demokratike të zgjedhjes me votë të lirë. Votimi i fshehtë iu mohua çdo deputeti, të majtë e të djathtë. Ju cenuat rëndë parimin kushtetues të votës së fshehtë, tha Ruçi.
Ndërsa kreu i demokratëve, Astrit Patozi, u shpreh se votimi i Cefës të enjten e kaluar flet për dështimin e radhës të socialistëve në betejat parlamentare. Patozi e cilësoi largimin e deputetëve socialistë nga votimi si përpjekje të dhunshme për të bllokuar një procedurë normale të Parlamentit.
Opozita komenton dështimin e saj të radhës. Në rrafshin politik regjistroi një dështim më shumë në betejat parlamentare të këtij Kuvendi. PS i shtoi CV-së së saj një tjetër etapë të shëmtuar, përpjekja për të bllokuar me dhunë votimin e një anëtari të KLD-së. Për të rrëzuar qeverinë, ata kanë nevojë për këllqe, që opozita nuk i ka. E ftoj opozitën të provojë mocionin e mosbesimit, si e vetmja mënyrë legjitime për të rrëzuar qeverinë, tha Patozi. / G.N.