E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Dialog me zgjedhësit, për t’i njohur ata me reformat dhe marrjen e sugjerimeve prej tyre

Kryeministri lajmëron nisjen e një serie takimesh me elektoratin

UPDATE- Kreu i qeverisë Sali Berisha informoi sot në mbledhjen e grupit parlamentar nisjen e një fushate takimesh me elektoratin shqiptar duke filluar nga kjo javë. Berisha u shpreh se kjo bëhet për shtrimin e dialogut dhe debatit me zgjedhësit shqiptarë, për të njohur shqiptarët me reformat e ndërmarra nga qeveria, por edhe për të marrë sugjerimet e tyre.
“Duke filluar nga kjo javë në gjithë Shqipërinë do të nis një seri takimesh, që nuk do kenë të sosur. Këto takime, ky dialog me qytetarët shqiptarë ka objektiv paraqitjen e reformave të qeverisë, njohjen e qytetarëve shqiptarë me veprimtarinë e mazhorancës”, tha ai. Berisha pohoi se është e domosdoshme të niset një dialog dhe debat me qytetarët shqiptarë.
Më tej, kryeministri tha se në këto takime shqiptarët do njihen me progresin që është bërë për liberalizimin e vizave.
Berisha nënvizoi se niveli i korrupsionit në sistemin e shëndetësisë ka pësuar rënie të madhe dhe kjo ka ndikuar në uljen e korrupsionit në tërësi.
“Ne do kemi një vullnet të hekurt kundër korrupsionit”, shtoi ai.
Kryeministri pohoi se prioritet mbetet lufta ndaj informalitetit, dhe për këtë tha ai “ne do jemi më të ashpër se vetë politika e FMN”.
Në fjalën e tij, kryeministri ka uruar të gjitha gratë me rastin e 8-Marsit, Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›