Frattini: Në 2010 hiqen vizat për Shqipërinë
Shqipëria dhe Bosnja do të përfitojnë nga liberalizimi i vizave brenda vitit 2010. Kjo është deklarata e ministrit të Jashtëm italian, Franko Frattini, në lidhje me procesin e integrimit të Ballkanit Perendimor në Bashkimin Europian. Në fjalën e tij në forumin e mbajtur në Goriza të Sllovenisë, për “Skenarët e zhvillimit Adriatiko – Ballkanik”, Frattini ka theksuar se Bashkimi Europian nuk ka më dilema për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perendimor. Duke u ndalur në çështjen e liberalizimit të vizave, Frattini ka theksuar se edhe për Kosovën Komisioni Europian duhet të nisë dialogun për heqjen e vizave. “Liberalizimi i vizave është në fuqi me Malin e Zi, Serbinë dhe Maqedoninë. Impenjimi është që edhe Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina mund të arrijnë objektivin brenda vitit 2010, duke arritur progres në parametrat e kërkuar nga Bashkimi Europian. Në mënyrë analoge mendojmë se dialogu për heqjen e vizave mund të fillojë shumë shpejt edhe për Kosovën”, ka deklaruar ministri i Jashtëm Frattini. Në një vlerësim historik për rajonin, ministri i Jashtëm italian është ndalur gjerësisht te Shqipëria si vendi me të kaluar komuniste që sot troket në dyert e BE-së. Ai u shpreh se disa vite më parë, vëzhguesit e BE-së kanë qenë skeptik në lidhje me avancimin e Shqipërisë dhe Serbisë si vende ish-komuniste drejt BE-së. “Sot qëndrimi i këtyre vendeve drejt Bashkimit Europian është konkret”, ka thënë ministri Frattini. Ndër të tjera, në fjalën e tij, diplomati italian ka theksuar se Tirana zyrtare më marrjen e pyetësorit tregon dhe vullnetin e qeverisë për tu bërë pjesë e BE-së.
...