E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brukseli: Vendimi për heqjen e vizave do merret para verës

Parlamenti Evropian i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Komisionit Evropian, në të cilën i kërkon të përshpejtojë procedurat për dorëzimin e dosjes së vizave për Shqipërinë, brenda muajit prill, në mënyrë që vendimi të merret prej PE-së para nisjes së sezonit turistik


Parlamenti Europian i ka kërkuar Komisionit Europian të sjellë sa më parë për shqyrtimin propozimet për liberalizimin e vizave për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina. Parlamenti kërkon që raporti të mbërrijë brenda muajit prill në mënyrë që eurodeputetët të nisin urgjent punën për këtë proces dhe që në fillim të verës së këtij viti të jepet vendimi për lëvizjen e lirë të shqiptarëve dhe boshnjakëve. Kërkesa i është drejtuar Komisionit Europian nga Kryetari i Komitetit për Lirinë, Drejtësinë dhe çështjet e Brendshme të Parlamentit Europian, Juan Fernando Lopez Aguilar, me mbështetje të Komisionerit të Zgjerimin e BE-së, Stefan Fule, kryetarit të Komisionit për Punët e Jashtme në PE, Gabriele Albertini dhe Kryetarit të Delegacionit për marrëdhëniet me Shqipërinë në BE, Eduard Kukan. Me anë të kësaj letre, ai i drejtohet Komisioneres për çështjet e Brendshme të Komisionit Europian, Cecilia Malmstrom, ku kërkon përshpejtimin e liberalizimit të vizave me dy vendet e Ballkanit Perëndimor. Qëndrimi i Parlamentit Europian, veç përshpejtimit të procedurave, jep një mesazh të qartë dhe për skepticizmin e disa vendeve të Bashkimit Europian në lidhje me përfshirjen e gjithë Ballkanit Perëndimor në procesin e liberalizmit. Shtimi i numrit të strehë kërkuesve nga Maqedonia dhe Shqipëria në vendet e BE-së, bëri që shumë prej ministrave të këtyre vendeve të jepnin deklarata për një tkurrje të procesit. Kërkesa e bërë më së fundit nga eurodeputetët synon edhe konfirmimin nga ana e Komisionit Europian për heqjen e vizave me Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën brenda gjashtë mujorit të parë të këtij viti.


Letra e zyrtarëve të PE, drejtuar Brukselit: “Që nga 19 dhjetori i 2009-ës, qytetarët e Republikës ish-Jugosllave të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë mund të udhëtojnë lirisht në vendet e ‘Schengenit’. Ky proces i suksesshëm i liberalizimit të vizave u bë falë përcaktimit të procedurave në kohë të Komisionit Evropian dhe Presidencës suedeze të Bashkimit Evropian. Unë jam i sigurt se angazhimi juaj personal si Ministre për çështjet Europiane të Suedisë, do të ndikojë që të bëhet një ndryshim i shpejtë në kërkesat për vizat, kryesisht për vendet e Ballkanit, për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën. Siç e dini, në një deklaratë në nëntor të vitit të kaluar, Parlamenti dhe Këshilli ftuan Komisionin që të paraqesë një propozim legjislativ për amendimin e Rregullores nr. 539/2001, me qëllim realizimin e liberalizimit të vizave në kohë të shpejtë, për qytetarët e atyre vendeve që kanë plotësuar dhe plotësojnë standardet e Komunitetit Evropian. Gjatë diskutimeve në Komisionin për Liritë Civile, Drejtësinë dhe çështjet e Brendshme në 23 shkurt 2010-të u paraqit plani në lidhje me arritjen e këtij qëllimi. Mesi i muajit Prill 2010-të është përmendur si një datë konkrete për botimin e një raporti vlerësimi, por data për dhënien e një propozimi nuk u përcaktua. Komisioni për Liritë Civile, Drejtësinë dhe çështjet e Brendshme është i mirëpritur të ndjekë të tërë procesin, duke nisur nga përfundimi i misioneve të verifikimi (proces ky që u krye në fund të muajit shkurt) dhe të dërgojë një propozim legjislativ në Parlamentin Evropian, duke i dhënë mundësi parlamentit të fillojë të punojë mbi dhënien e një propozimi të ri në fillim të muajit Prill. Ky afat kohor do t’i lejonte Parlamentit Evropian dhe Këshillit të punonin lidhur me propozimin e Komisionit me qëllim miratimin e një qëndrimi të përbashkët të palëve dhe dhënien e një vendimi përpara verës. çdo vonesë, ndërmjet publikimit të raportit të vlerësimit dhe lëshimit të propozimit legjislativ pas muajit Prill, Parlamenti Evropian pakëson aftësinë për të kompletuar procedurën legjislative para pushimeve të verës. Unë besoj fuqimisht se angazhimi juaj personal mund të bëjë një ndryshim dhe do të lejojë që Parlamenti dhe Këshilli të përmbushin premtimin tonë të deklaratës së 20 nëntorit të 2009-ës, ku u deklarua se propozimi legjislativ do të trajtohen ‘si një çështje urgjente’”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›