Mosrealizimi i investimeve, qeveria shtyn deri më 31 dhjetor tenderat
Qeveria shqiptare ka vendosur të lejojë të gjitha drejtoritë rajonale të rrugëve që të zhvillojnë tendera deri në ditën e fundit të këtij viti. Mosrealizimi i dukshëm i investimeve dhe thyerja e të gjitha parashikimeve e ka detyruar qeverinë të shkojë në një vendim të tillë, para se të vendosë për rishpërndarje të fondeve. Fakti që drejtoritë rajonale të rrugëve do të zhvillojnë procedura tenderësh deri më 31 dhjetor, do të thotë se ato do të mund të çelin fonde deri në këtë datë, gjë që mund të krijojë probleme me zbatimin e ligjit. Për një vepër publike apo për një shërbim, të cilin qeveria kërkon t’i ofrohet asaj, nuk mund të jepen pará, përpara se të kryhet puna. Përpara se të kryhet puna jepet një vlerë parash sa 10% e vlerës së punës. Qeveria shqiptare, duke mos dashur në asnjë mënyrë që të mos realizohen investime, është shtrënguar të marrë një masë të tillë. Vitet e shkuara investimet kanë mbetur pa u realizuar në vlera të larta. Qeveria dhe Ministria e Financave kanë rishpërndarë fondet në zëra të tjerë thuajse një muaj para se të mbyllej viti buxhetor. Këtë vit zotimi i ministrit të Financave, Ridvan Bode, në verë ishte që asnjë qindarkë nga zëri i investimeve nuk do të mbetej pa u realizuar. Kjo është një sipërmarrje shumë e vështirë në Shqipëri, për shkak të administratës së dobët dhe për shkak të punimeve që nuk ecin sipas parashikimeve në shumë raste. Punimet nuk mbyllen në bazë të grafikëve, edhe për shkak të pafuqisë së biznesit për të përballuar një nivel të tillë pune. Kryetari i shoqatës së ndërtuesve, Shkëlqim Bumçi, tha kohë më parë se bashkëpunimi me pushtetin vendor nuk ishte në nivelin që duhej për të përballuar investime të tilla. Procedurat e shpronësimeve, si edhe lejet e ndërtimit janë të lidhura drejtpërdrejt edhe me pushtetin vendor. Deri në fund të nëntorit niveli i investimeve të kryera ishte 70 %, ndërkohë që 30% të tjera pritet të mbyllen gjatë këtij muaji, gjë që është e pamundur. Në vlera monetare qeveria ka arritur të investojë shumë më shumë pará sesa qeveritë e para tre viteve. Megjithatë, qeveria aktuale nuk ka mundur të realizojë më shumë se 75% të zërit të investimeve në asnjë prej viteve duke nisur që nga 2006. Në pranverë të vitit 2006 qeveria ndryshoi ligjin e prokurimeve, pasi e shihte atë si shumë pengues dhe burokratik në realizmin e investimeve. Vitin e shkuar zëvendësministri i Financave tha se investimet po ecnin ngadalë për shkak të ligjit që ishte shumë i komplikuar. Arsyeja bazë nuk është ligji, por pafuqia e biznesit dhe paaftësia e administratës shqiptare. Kompania që ndërton në rrugën Durrës-Kukës arrin t’i mbyllë gjithnjë brenda grafikut punimet e parashikuara.