E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitalet, borxhet nga tenderët 6 milionë dollarë

 

zirina llambro

Të lëna për disa vite në harresë, borxhet e spitaleve nuk mund të fshihen më. Skandali, është i pashmangshëm të dalë në shesh. Skema e re e financimit, që do të nisë vitin që vjen, nuk mund të mbajë mbi supe këtë peshë. E në fakt shifrat janë kolosale. Zyrtarisht burime të sigurta nga Ministria e Shëndetësisë  konfirmuan për rreth 6 milionë dollarë borxhe, që spitalet ua kanë të tretëve. Por po të njëjtat burime pranojnë se kjo shifër nga studimi në terren, mendohet të jetë dyfish më e lartë, pra rreth 12 milionë dollarë. Skema e akumulimit të këtyre parave është e paqartë edhe për specialistët. Mendohet që tenderët të jenë shkaku kryesor i krijimit të borxheve. Për vetë faktin se ka qenë Ministria e Shëndetësisë, ajo që ka menaxhuar fondet e spitaleve, përgjegjësia direkte bie mbi këtë dikaster. Dyshime hidhen për afera korruptive, ndonëse jo hapur. “Borxhet e spitaleve janë tashmë një problem i vjetër. Por gjithnjë për arsye të caktuara janë anashkaluar”, pohuan për gazetën burime të sigurta nga Ministria e Shëndetësisë, të cilët nuk donin të bënin publikë emrat e tyre. Ky problem u prek dje edhe në konferencën me temë “Përmirësimi i cilësisë së shërbimit shëndetësor sfidë urgjente, ku u mblodhën të gjithë aktorët”. Borxhet e spitaleve, për shkak të tenderëve janë të mëdha dhe të trashëguara ndër vite”, tha Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana. Ajo shtoi se është mirë që këto borxhe të mos mbahen nga spitalet që sapo po lindin si institucione vendimmarrëse, kështu që në këtë kuptim, “Është mirë që ato të jenë të lira nga këto borxhe. Për të zgjidhur këtë ngërç, po hartohet një plan i Këshillit të Ministrave, për mënyrën sesi do të trajtohen këto borxhe në vitin 2009 dhe vendimi do të merret këto ditë”, tha Hana. Sipas saj, as instituti që ajo drejton nuk mund të  mbajë kurrsesi këtë peshë. “Kjo sepse ne jemi institucion që blejmë shërbimin dhe bëhet fjalë që do t’i mbartin spitalet, apo Ministria e Shëndetësisë, apo Qeveria, problemi është që t’i mbartin ato që i kanë shkaktuar dhe jo ato që po lindin sot”, tha  Hana. Sipas saj, spitalet si struktura të reja që do të menaxhojnë vetë një pjesë të fondeve përveç investimeve dhe pajisjeve që  do të vazhdojnë të jenë pjesë e Ministrisë së Shëndetësisë, nuk janë përgjegjëse për situatën e krijuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›