E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, Topi nxjerr në lirim gjeneral Luan Hoxhën

 

ADI SHKEMBI

Presidenti Bamir Topi nxjerr në lirim gjeneralin Luan Hoxha. Kreu i shtetit ka firmosur dje dekretin e propozuar nga Ministri i Mbrojtjes për ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të forcave tona të armatosura.“Në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës, të nenit 7, pika 8 të ligjit nr. 8671, datë 26.10.2000 “Për Pushtetet dhe Autoritetet e Komandimit e të Drejtimit Strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe të nenit 18, të ligjit nr. 9210, datë 23.03.2004 “Për statusin e ushtarakut në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, dekretoj Gjeneral Leitnant Luan Hoxha, del në lirim”, thuhet në dekretin e firmosur nga kreu i shtetit dhe që hyn në fuqi menjëherë. Pas shpërthimit tragjik në Gërdec, ish- ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu akuzoi shtabin për përgjegjësitë e këtij shpërthimi dhe një pjesë e akuzave iu faturuan edhe Luan Hoxhës, i cili në atë kohë mbante detyrën e Shefit Shtabit të Përgjithshëm. Më 17 qershor, ditën që kuvendi i hoqi imunitetin Fatmir Mediut, kreu i shtetit firmosi për shkarkimin e Luan Hoxhës. “Në mbështetje të nenit 169, pika 3 të Kushtetutës, të nenit 7, pika 5 të ligjit nr. 8671, datë 26.10.2000 “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, me propozim të Kryeministrit, dekretoj Gjeneral Lejtnant Luan Hoxha, deri tani me detyrë Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, shkarkohet nga kjo detyrë”, thuhej në dekretin e Presidentit Topi. Që nga nisja e hetimeve nga ana e organit të akuzës, Luan Hoxha është thirrur për të dhënë sqarime dy herë nga Prokuroria e Tiranës dhe dy herë nga Prokuroria e Përgjithshme. Gjatë marrjeve në pyetje, Luan Hoxha ka dhënë sqarime lidhur me gjithë procedurën e demontimit të armëve në fabrikën e Gërdecit. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, rezulton të ketë firmosur disa nga aktet nënligjore që kanë legjitimuar ngritjen e fabrikës së demontimit në Gërdec dhe pas dorëheqjes së Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Kryeministri Berisha ka kërkuar shkarkimin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›