Ndërtimi i HEC-ve, BKT marrëveshje me KfW
Banka Kombëtare Tregtare ka nënshkruar dje një marrëveshje me bankën gjermane KfW. Marrëveshja ka të bëjë me mbështetjen e garancisë së kolateralit ndërmjet KfW dhe BKT-së. Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes do të jenë të pranishëm përfaqësuesit më të lartë të BKT-së dhe KfW-së. Kjo marrëveshje do të jetë hapi konkret i një bashkëpunimi shumë të frytshëm për lehtësimin e financimit të HEC-eve të vegjël në Shqipëri. Bazuar në bashkëpunimin ndërmjet KfW dhe BKT-të, KfW do të sigurojë garanci të pjesshme të kolateralit për investitorët e HEC-eve të vegjël. Kjo bën të mundur që një nga barrierat më të rëndësishme të shfrytëzimit të hidro-energjisë të tejkalohet dhe kjo do të sjellë një ndihmë të madhe në drejtim të financimit të këtyre projekteve. Kjo nga ana tjetër do të bëjë të mundur që një numër i madh HEC-esh të vegjël të ndërtohen duke siguruar kështu reduktimin e nivelit të mosfurnizimit me energji elektrike për të gjithë kategoritë e konsumatorëve. Marrëveshja ndërmjet dy bankave është pjesë e Programit të Promovimit të Burimeve të Rinovueshme të Energjisë dhe Eficencës së Energjisë, që është pjesë e rëndësishme e kuadrit të bashkëpunimit financiar të qeverisë gjermane me atë shqiptare. Objektivi primar i këtij bashkëpunimi është të përmirësojë furnizimin me energji elektrike në Shqipëri dhe në të njëjtën kohë të ndikojë në reduktimin e ngrohjes globale nëpërmjet promovimit të burimeve të rinovueshme të energjisë dhe eficencës së energjisë.