U kremtua sot në Shkodër “Dita Botërore e Paqes”

“Dita Botërore e Paqes” është kremtuar të mërkurën në mbrëmje, në teatrin Migjeni të qytetit të Shkodrës, për të dhjetin vit rradhazi. I konceptuar në formën e një spektakli letraro-artistik me pjesemarrjen e të rinjve nga shkollat dhe qendrat kulturore të qytetit, ky organizim kishte qëllim përcjelljen e mesazhit të Shenjëtërisë së Tij, Papa Benedikti i XVI, i cili në "Ditën Botërore të Paqes", jep një mesazh të veçantë, përmes temave sociale që shqetësojnë më së shumti botën në ditët tona. Aktivitet u bë i mundur falë bashkëpunimit të shoqatës “Drejtësi dhe Paqe” me Arqipeshkvinë Shkodër-Pult, dhe Karitasin Shkodër. Kryetari i shoqatës “Drejtësi dhe Paqe", Luigj Mila tha se këtë vitë tema ka qenë: “Të luftojmë varfërinë - të ndërtojmë paqen!” Në këtë organizimi merrnin pjesë përfaqësues të të gjitha besimeve fetare që tradicionalisht bashkëjetojnë prej vitesh në Shkodër, të cilët përcollën mesazhet e tyre të urimit. Ndërkohë, gjatë aktivitetit, janë lexuar pjesë nga mesazhi i Atit të Shenjtë, Benedikti XVI për kremtimin e Ditës Botërore të Paqes.
...