E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISKSH: Reformat në kujdesin shëndetësor parësor po ecin me ritëm mjaft të mirë

Reforma në kujdesin shëndetësor parësor ka një ecuri mjaft të mirë, përgjatë 2 viteve të zbatimit të saj (2007-2008), konsideron Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. "Në vitin e dytë të reformës kemi rezultate shumë të mira të përthithjes së fondeve nga ana e qendrave, si të fondit për performacën, ashtu dhe të fondit për bonusin", bënë të ditur sot burime nga ISKSH-ja, sipas të cilave, fondi për performacën, duke u krahasuar me vitin e parë të reformës, ka një rritje të ndjeshme (në vitin e parë ky tregues ishte 40 %).  Mbështetur në evidencat e periudhës janar-nëntor 2008, rezulton se shpenzimet për buxhetin për aktivitet, pra, 10% shtesë mbi pagën për performancë, janë realizuar në masën 74.4 % në shkallë vendi dhe bonusi, që është 5 % shtesë për cilësinë e shërbimit, është realizuar në masën 44.2 %. Nga të dhënat e ISKSH-së rezulton se financimi i  buxhetit për aktivitet (10% i performancës) për çdo qendër shëndetësore është realizuar nga 8-100 %. Sipas këtyre të dhënave, më mirë në realizimin e këtij treguesi paraqiten qendrat shëndetësore të rajonit të Tiranës, të cilat kanë tërhequr 63-98 % të buxhetit për aktivitet, të Vlorës, që kanë tërhequr 44-99 % të buxhetit, të Tropojës, 93-100 %, Beratit, 35-100 %, Kukësit, 34-91 %, të Korçës, 28-99 %, të Elbasanit, 18-94 %, si dhe të Shkodrës, 18-99 %. Ndërsa, realizimi i buxhetit për bonus nga qendrat shëndetësore varion nga 24-54 %. "Më mirë për këtë tregues paraqiten Vlora dhe Kukësi, me 54 % secila, Dibra me 49 %, Korça me 48 %, Shkodra  me 46 %, Tirana me 45 %, si dhe Berati me 43 %", pohojnë të njëjtat burime. Sipas tyre, buxheti për bonus për çdo qendër shëndetësore është realizuar nga 2-81 %. Bazuar në performancën e realizuar, punonjësit e qendrave shëndetësore në vend kanë marrë dhe një rrogë mujore shpërblim për festat e fundvitit. Ndërkohë, sipas ISKSH-së, financimi i qendrave shëndetësore nga skema e sigurimit shëndetësor gjatë vitit të kaluar tregoi për më shumë fonde të alokuara për qendrat shëndetësore kundrejt 2007 (në total 15.6% më shumë), konceptim më të drejtë, lidhur me menaxhimin e fondeve të alokuara, si dhe u shënua rritje të shkallës së autonomisë së tyre. Gjithashtu, treguesit e vitit 2008 flasin për më shumë mundësi në përdorimin e të ardhurave dytësore nga ana e qendrave shëndetësore, me qëllim përballimin e kostove të mirëmbajtjes për të ruajtur nivelin e shërbimeve të ofruara, etj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›