Berisha: Do asfaltoj sheshin “Skënderbej”
zirina llambro
Të dy kampet pranojnë se Sheshi "Skënderbej" është në gjendje të mjer-ueshme. Ndërsa asgjë nuk po bëhet për t'i dhënë një fytyrë të re, ky shesh është kthyer sërish në mollën e sherrit mes Qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës. Dje, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, Kryeministri Sali Berisha urdhëroi asfaltimin e sheshit në qendër. "çdo i huaj që vjen, më ngre çështjen e sheshit. Imagjino, mendojnë se Bashkisë së Tiranës nuk i jepet asnjë qindarkë, sepse nuk ka njeri që të mendojë se sheshi lihet me qëllim në atë gjendje", tha Berisha. Ai i kërkoi Ministrisë së Punëve Publike një plan urgjent për asfaltimin e sheshit, derisa bashkia të nisë punën. "Qeveria e Kuvajtit ka dhënë 10 milionë USD për sheshin. Ka të paktën dy vjet që paratë janë disponibël. çdo gjë është disponibël. Të shkosh nga xhamia në Hotel 'Tirana' është një udhëtim horror. Kërkoj me urgjencë planin e asfaltimit të sheshit. Nuk ka njeri ndërmend të marrë kompetencat e pushtetit vendor, por nuk mund të lejohet një situatë diskretituese", u shpreh Kryeministri. Ai shtoi se nuk ka qendër komune në Shqipëri, që të jetë në situatën e qendrës së Tiranës. "Prandaj sa të bëjnë zgjedhje pas zgjedhjesh ata, ne duhet të shtrojmë një shtresë të mirë asfalti. Nuk duhet të turpërojmë vendin, pasi kushdo që vjen aty sheh një shkatërrim", tha Berisha. "Sheshi qendror i shqiptarëve, sheshi i heroit të tyre është në një gjendje katastrofale. Nuk munden që lobe të caktuara, interesa hotelesh të bllokojnë sheshin e qytetit. Qeveria do të marrë të gjitha përgjegjësitë", deklaroi kreu i Qeverisë. Si Berisha, ashtu edhe Rama, pranojnë se sheshi është në gjendje të mjerueshme, por kryetari i Bashkisë ka fajësuar disa herë Qeverinë se nuk bën shpronësimin e nevojshëm të një segmenti të unazës së vogël rreth sheshit. Në reagimin e saj, Bashkia e Tiranës konfirmon se nisja e punimeve është çështje ditësh. "Tirana nuk ka nevoje për asfaltin qeveritar në sheshin 'Skënderbej' për të thelluar gropën e autonomisë vendore e për të krijuar një ngjarje 'alla Zog i Zi'. Fillimi i punimeve në Sheshin "Skënderbej" është çështje ditësh. Mundësia për qarkullimin e makinave, pasi të fillojnë punimet, është sfida për të cilën Qeveria është e mirëpritur të kontribuojë me fondin e nevojshëm për hapjen e aksit të mbetur të unazës së vogël, ku gjendet sot godina e INSIG-ut", thuhet në reagimin e bashkisë. Nga sa bëri me dije zyra e shtypit, tashmë është bërë plani alternativ i qarkullimit dhe është lajmëruar këto ditë fillimi i punimeve, të cilat do të nisin shumë shpejt. "Ato nisin mbi një projekt të shkëlqyer, që transformon sheshin në një hapësirë këmbësore pa makina. Ky projekt do të fillojë zbatimin në ditët në vazhdim dhe falë mbështetjes financiare të shtetit mik të Kuvajtit", thuhet në deklaratën e bashkisë. Modeli i ri urban i qytetit të Tiranës, përfshin kthimin e Sheshit "Skënderbej" në një shesh për këmbësorë, biçikleta dhe pa mjete private. Pika kryesore në këtë projekt është përcaktimi dhe zhvillimi i një identiteti të ri për Sheshin "Skënderbej", duke rezervuar të gjithë hapësirën për nevojat e këmbësorëve.
Shpronësimi i INSIG
Sipas projektit fillestar për rikonstruksionin e Sheshit Skënderbej, qarkullimi i automjeteve ishte parashikuar të devijonte në unazën e vogël, ku Qeveria duhej të shpronësonte godinën e INSIG dhe disa shtëpi pas saj. Vlera e shpronësimit arrin deri në 4 milionë dollarë, sipas burimeve nga Bashkia e Tiranës. Kreu i saj, Edi Rama ka akuzuar Qeverinë se ka dy vjet që vonon shpronësimin e kësaj godine, për rrjedhojë punimet në shesh. Disa ditë më parë, Bashkia nisi punimet për hapjen e një rruge provizore, e cila do të mundë të devijojë trafikun. Si fillim punimet në Sheshin "Skënderbej" do të fillojnë vetëm në një pjesë të tij, duke lejuar qarkullimin e automjeteve para Hotel "Tiranës".