E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kriza s’u zgjidh, por u thellua”



adi shkembi

Grupi i partive të majta në Parlamentin Evropian i bëri thirrje dje maxhorancës të pranojë kërkesën e opozitës për hetimin e plotë të zgjedhjeve, përfshi edhe hapjen e kutive të votimit. Në një deklaratë për shtyp, të majtët në Strasburg shprehin shqetësimin e tyre për krizën politike në Tiranë, duke shtuar se Qeveria ende nuk ka dhënë një përgjigje për kërkesat e PS-së, e cila nga ana e saj hyri në Parlament. “Udhëheqësit e Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian shprehën sot shqetësimin e tyre të thellë mbi situatën politike në Shqipëri. Pas kthimit të pjesëtarëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë në Kuvendin e Shqipërisë, nuk është dhënë ende nga ana e partive të maxhorancës qeverisëse një përgjigje e kënaqshme për kërkesat e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, që do të zhvillojë një hetim të plotë, duke përfshirë edhe hapjen e kutive të votimit, mbi mënyrën sesi u zhvilluan zgjedhjet parlamentare të 2009. Shqipëria e gjen sërish veten në një krizë të thellë politike, e cila po bllokon seriozisht ambiciet evropiane të vendit”, thuhet në njoftimin për shtyp të eurodeputetëve të majtë në Parlamentin Evropian. Në të njëjtën kohë, përfaqësuesit e opozitës në këtë institucion i bënë thirrje klasës politike të Tiranë që të bëjë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit, në mënyrë që kjo të shërbejë si bazë për përmirësimin e ligjit elektoral në proceset e ardhshme elektorale. “Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian u bën apel të gjitha forcave politike që të arrijnë transparencën e plotë të procesit elektoral si një bazë e qëndrueshme për përmirësime të rëndësishme në mënyrën sesi do të organizohen zgjedhjet në të ardhmen, duke bërë që ato të përmbushin standardet ndërkombëtare”, vijon më tej njoftimi për shtyp. Udhëheqësit e Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian bëjnë thirrje gjithashtu për gjetjen e një dialogu konstruktiv në vend, që do të ndihmojë në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Sikundër ata shprehen të gatshëm që së bashku me përfaqësuesit e grupit të Partive Popullore Evropiane të vijnë në Shqipëri për të zhvilluar bisedime për zgjidhjen e ngërçit politik. “Theksojmë po ashtu se rruga për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri duhet gjetur urgjentisht dhe se duhen vendosur bazat e një dialogu konstruktiv mes Qeverisë dhe opozitës me synimin për të forcuar procesin e integrimit evropian të vendit. Zëvendëspresidentët e Grupit, Severin dhe Svoboda përsëritën vullnetin e tyre që – nëse është e mundur së bashku me kolegët e tyre nga Grupi PPE në Parlamentin Evropian – të vijnë në Shqipëri dhe të zhvillojnë bisedime me të gjitha palët për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje për krizën që po kalon vendi, mbi bazat e një zgjidhjeje të ekuilibruar”, thuhet më tej në njoftimin e forcave të majta në Parlamentin Evropian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›