Berisha: Do fusim sërish në përdorim letrat me vlerë
Qeveria do të fusë sërish në përdorim letrat me vlerë. Këtë e bëri të ditur dje kryeministri Berisha gjatë mbledhjes së radhës së qeverisë. Duke folur para mediave, kreu i ekzekutivit u shpreh se hapi i parë i këtij procesi do të jetë pikërisht dhënia e mundësisë për parablerje nga ana e pronarëve të objekteve që nxirren për privatizim. “Ekspertët e Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave do të bëjnë modelimin dhe ekuivalentimin e tyre. Në këtë kontekst, krijohet një lehtësi e madhe për pronarin për të parablerë objektin e nxjerrë në privatizim. Kjo masë duhet të merret me shpejtësi. Parablerja është e drejtë e ligjshme, e cila është aplikuar në rastet e bashkëpronësisë private publike, ku për pjesën publike është dhënë e drejta e parablerjes. Këtë ligj në favor të pronarëve, që e anuluan qeveritë e mëparshme, ne e kemi amenduar dhe rikthyer,” u shpreh Berisha. Sipas tij, hedhja në treg e tyre gati 13 vjet më parë u bë me qëllim që të kishte shpërndarje të pasurisë kombëtare nëpërmjet një bonusi të caktuar. Por Berisha tha se kriza financiare, rebelimi komunist dhe sistemi i korruptuar i vendosur pas vitit 1997 i bënë ato inekzistente. “Kanë kaluar rreth 13 vjet nga ajo periudhë. Qeveria dhe maxhoranca ka pasur një zotim se nuk do t’i mohojë ato, por se do të gjejë mënyrën e trajtimit. Në vitin e emetimit të tyre, për arsye jo të qëndrueshme, por më shumë si një jehonë, ato imituan lekët e privatizimit, ndërkohë që lekët e privatizimit, faktikisht, ishin lekë me destinacion privatizimin dhe që do të dëmshpërblenin ditën e vuajtjes në burg, në përputhje me ligjin e kohës. Bonot e privatizimit në asnjë vend dhe në asnjë rast nuk janë cilësuar si lekë. Sidoqoftë, ne duhet të fillojmë të hapim siparin e përdorimit të tyre”, tha më tej Berisha. Duke garantuar se kjo masë nuk ka efekte negative në funksionalitetin e ekonomisë, kryeministri theksoi se futja në përdorimin e letrave me vlerë do të bëhet gradualisht dhe hap pas hapi. “Gjykoj se është e dobishme dhe e domosdoshme të hidhet hapi i parë. Nuk mund të ecet në mënyrë tjetër përveçse hap pas hapi, sepse vetë situata financiare botërore nuk lejon asnjë lloj eksperimenti, por imponon rigorozitet, hapa të matura e të studiuara dhe unë kam shumë bindje se vendimi për t’u dhënë të drejtën pronarëve për të parablerë me letra me vlerë nuk do të ketë asnjë efekt negativ në funksionalitetin ekonomik të vendit, por, përkundrazi, do t’u lehtësojë barrën një shtrese, e cila e meriton plotësisht. Fillimi i procedurave, monitorimi, eksperienca e krijuar do të na mësojë për hapin e dytë, të tretë, të katërt e me radhë”, theksoi më tej kreu i qeverisë. Në fund ai sqaroi se letrat me vlerë nuk janë lekë, duke qartësuar kështu edhe ish të përndjekurit politikë për letrat me vlerë që morën gjatë qeverisjes së parë të PD-së.