Lejet e ndërtimit, tani 8 dokumente dhe 55 ditë afat
ADI SHKEMBI
Amendimet në ligjin e lejeve të ndërtimit nuk do të prekin vetëm afatet e dhënies së lejeve por edhe procedurat. Burime nga Këshilli i Ministrave zbardhin katër ndërhyrjet që do të bëhen në këtë ligj, të cilat sipas tyre do të bëjnë të mundur eliminimin e burokracive dhe shmangien e korrupsionit. Kështu amendimi i parë ka të bëjë me dhënien e lejeve. Nëse deri tani ndërtuesve u është dashur të marrin leje për sheshin dhe për ndërtimin, me ndërhyrjet në ligj do të marrin leje vetëm për ndërtimin. Një tjetër pikë ku do të ndërhyhet është pikërisht momenti pas kalimit të afatit. Kështu nëse deri tani ligji nuk jepte asnjë shpjegim se si do të veprohej nëse KRT nuk kthente përgjigje, tani, pas kalimit të afatit, nëse nuk jepet vendimi, ndërtuesi nis punën për ndërtimin. Amendimi i tretë ka të bëjë pikërisht me afatet. Sipas draftit, tani do të duhen vetëm 55 ditë për të marrë përgjigjen dhe këto ditë të llogaritura: 5 ditë për aplikimin për marrjen e lejes, 45 ditë për miratimin dhe 5 ditë për zbardhjen e vendimit. Nëse në ditën e 56 KRT nuk kthen përgjigje, leja konsiderohet e marrë. Ndërhyrjet në ligjin për lejet e ndërtimit ishte edhe kryefjalë e mbledhjes së djeshme të qeverisë. Sipas kreut të qeverisë, në ndryshimet në ligj do të jetë edhe heqja e një sërë dokumentesh, nga 24 që janë tani, në 8. Berisha u shpreh se këto ndryshime i vënë në dispozicion hapësira lehtësuese qytetarit, i cili në se nuk merr përgjigje brenda këtij afati, ka të drejtë të fillojë ndërtimin. “Në qoftë se ditën e 51-të qytetari nuk ka marrë me shkrim lejen apo vendimin motivuar për mosdhënien e saj, ai do të ketë të drejtën të fillojë ndërtimin, por në rast se qytetari bëhet vetë përgjegjës dhe tenton të përdorë afatin në mënyrë abuzive, do të takohet me kodin penal të ndërtimit pa leje që parashikon në variantin e ri rreth 8 vjet burg”. Duke vlerësuar parimin “Heshtja është pranim” si të domosdoshëm për parandalimin e korrupsionit, kryeministri u shpreh se në rast se ai zbatohet askush nuk do të ketë nevojë të japë ryshfet, pasi do të marrë përgjigje në kohën e duhur dhe në rast të kundërt do të ketë të gjitha të drejtat t’i përgjigjet arbitraritetit shtetëror. “Duke vendosur parimin ‘heshtja është pranim’, ne jo vetëm që vetëkufizojmë shtetin apo pushtetin por nga ana tjetër ne vendosim një parim të artë për parandalimin e korrupsionit sepse askush nuk do të ketë nevojë të japë ryshfet, pasi ai do të marrë përgjigje me detyrim ligjor brenda 50 ditëve dhe në rast të kundërt do të ketë të drejtë të fillojë ndërtimin, po qe se arbitrariteti shtetëror kërkon t’i imponohet atij”, tha Berisha. Kryeministri bëri të ditur se ky parim nuk do të zbatohet vetëm për ndërtimet por do të përfshijë të gjithë veprimtarinë publike të sektorëve, me qëllimin më të mirë për të vendosur raporte të drejta dhe të ndershme me sektorin privat.