E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, zbardhet harta e çmimeve

 

BLEDAR HOTI

Një metër katror në zonën e Bllokut do të kushtojë 1,8 milionë lekë të vjetra. Ky është çmimi i dhënë nga ana e qeverisë për trojet në qytetin e Tiranës. Qeveria ka miratuar dje çmimet e trojeve për të gjitha qytetet e Shqipërisë. Në bazë të vendimit   qeveria ka miratuar minimumin e çmimeve të trojeve, të përcaktuara në hartat përkatëse, për qarqet e Beratit, Gjirokastrës, Vlorës, Dibrës, si dhe qytetet Bulqizë, Burrel, Klos dhe Vlorë; për qarqet e Lezhës, Dibrës, Korçës dhe Kukësit; për qarqet e Fierit, Elbasanit, Tiranës, Vlorës, Durrësit dhe Shkodrës”. Qeveria kishte premtuar rishikimin e hartës së vlerës së trojeve, duke synuar vendosjen e çmimeve sipas tregut, apo duke eliminuar pabarazinë. Marrja e këtij vendimi realizohet pikërisht në momentin kur Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të realizojë shpërndarjen e fondit prej 500 milionë lekësh për kompensimin financiar të ish-pronarëve.
Tirana
Qeveria ka marrë vendimin për të rritur çmimet e trojeve pikërisht në zonat më të lakmuara të Tiranës, duke rritur me 50 për qind çmimet. Kështu në zonën e ish-Bllokut, çmimi do shkojë në 180 mijë lekë/m2. Rritje të ndjeshme do të ketë edhe në zonën e Piramidës dhe në atë përreth stadiumit “Qemal Stafa”. “Zona 2/1– Piramida, Stadiumi “Qemal Stafa”; Zona 5/1 – ish Blloku, Libri Universitar, Vodafon, çmimi sipas 180.000 lekë /m2", thuhet në vendimin e qeverisë. Një fakt të tillë e pohoi dhe vetë Ministri i Drejtësisë, Alibeaj, gjatë një prononcimi për “Panorama”. Në vendimet e marra muaj më parë, po nga kjo qeveri, çmimi në zonën 5/1, që i përkon ish-Bllokut, shkonte në 77523 lekë/m2. Zona e dytë në të cilën është vendosur një rritje e konsiderueshme, ajo e Parkut Kombëtar, Liqenit, që shkon në 1,2 milionë lekë të vjetra për metër katror.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›