Surprizë kuqezi, në 2008 më mirë se Portugalia
Jetmir Halilaj
Përfaqësuesja shqiptare renditet në vendin e 28-të në klasifikimin evropian për vitin 2008. Sipas një përzgjedhjeje të bërë nga revista portugeze “Maisfutebol”, kuqezinjtë renditen në vendin e 28-të, ndër 53 ekipet që bëjnë pjesë në UEFA. Kombëtarja jonë ka lënë pas në këtë klasifikim emra të njohur si Portugalia, Belgjika, Norvegjia dhe Austria, duke u cilësuar kështu si një surprizë për vitin 2008. Kriteret për vlerësimin e skuadrave kanë qenë rezultatet e të gjitha ndeshjeve që ato kanë zhvilluar gjatë këtij viti. Kuqezinjtë, nën drejtimin e Ari Hanit, kanë zhvilluar gjithsej shtatë ndeshje, nga të cilat kanë fituar dy (me Maltën dhe Lihteshtejnin), kanë barazuar tri (me Suedinë, Portugalinë dhe Azerbajxhanin) dhe kanë humbur dy (ndaj Polonisë dhe Hungarisë). Në total, përfaqësuesja shqiptare gjatë këtij viti ka marrë 50 për qind të rezultateve që ka pasur në dispozicion. Ndërkohë, një vend poshtë saj, në të 29-in, renditet Portugalia e drejtuar nga tekniku Karlos Keiroz. Pikërisht kundër kësaj skuadre, kuqezinjtë kanë arritur rezultatin më të bujshëm të këtij sezoni, pasi barazuan 0-0 me 10 lojtarë në Bragë, duke bërë jehonë në mbarë Evropën. Ekipi portugez ka marrë vetëm 46%, pasi në 13 ndeshje që ka zhvilluar këtë vit, ka fituar vetëm pesë, ka barazuar dy dhe ka humbur gjashtë takime. Miqësoret e luajtura në muajin nëntor ishin ndeshjet e fundit ndërkombëtare, për shumicën e skuadrave evropiane. Në grupin 1, skuadra që qëndron më lart është Hungaria e drejtuar nga Ervin Kuman, e cila ka arritur të marrë 60 për qind të pikëve që ka pasur në dispozicion, pasi në dhjetë ndeshje të luajtura ka fituar katër prej tyre, ka barazuar gjithashtu katër dhe ka humbur dy. Shtypi portugez e ka kritikuar tej mase trajnerin Karlos Keiroz, aq sa i ka sugjeruar dhe largimin nga përfaqësuesja luzitane. Yjet portugeze humbën disa ditë më parë 6-2 me Brazilin, mirëpo, edhe pse ishte një miqësore, tifozët dhe shtypi sportiv u treguan shumë të ashpër ndaj stafit drejtues të skuadrës dhe ndaj disa prej lojtarëve kryesorë. “E hidhur, por e vërtetë. Jemi poshtë Shqipërisë dhe Hungarisë”, shkruhej në artikullin e “Maisfutebol.pt”.