E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamentarët: Planit i Ban Ki Mun sjell destabilizimin e Ballkanit

 

Mosrespektimi i sovranitetit të Kosovës mbart rrezikun e destabilizimit afatgjatë të rajonit të Ballkanit. Dy komisionet parlamentare të Politikës së Jashtme, të Shqipërisë dhe Kosovës, me një deklaratë të përbashkët u shprehën kundër planit prej gjashtë pikash të Ban Ki Mun. Një takim i përbashkët ndërmjet përfaqësuesve të dy komisioneve parlamentare u zhvillua dje në lidhje me planin prej 6 pikash për EULEX-in. Në deklaratë theksohet se, “Komisioni i Politikës së Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë dhe ai i Kuvendit të Republikës së Kosovës mbështesin qëndrimin e Presidentit dhe të qeverisë së Kosovës si dhe të krejt forcave politike në vend, për zbatimin sa më të shpejtë të planit Ahtisari dhe të Kushtetutës së Kosovës. Në këtë kontekst, komisionet i bëjnë thirrje mbarë komunitetit ndërkombëtar, dhe posaçërisht SHBA-së dhe strukturave të BE-së, të cilat të forcojnë bashkëpunimin me institucionet legjitime të Kosovës, me qëllim shtrirjen pa vonesë të misionit EULEX në krejt territorin e Kosovës, në përputhje të plotë me planin Ahtisari dhe me Kushtetutën e Kosovës”. “Çdo përpjekje për anashkalim të tyre favorizon ngritje strukturash paralele që pengojnë vendosjen e shtetit ligjor. Të dy komisionet bashkohen në shqetësimin se një realitet i tillë, ku nuk respektohet parimi i sovranitetit të Republikës së Kosovës, do të ishte i mbarsur me rreziqe për copëtim territorial të një shteti të pavarur, tashmë të njohur nga shumica e shteteve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, shumica dërrmuese e shteteve anëtare të BE-së, si dhe nga shtatë vendet më të zhvilluara të botës. Një anashkalim i tillë mbart premisat e një destabilizimi afatgjatë  jo vetëm për Kosovën, por edhe për krejt rajonin”, thuhet në deklaratën e përbashkët. Delegacioni kosovar i kryesuar nga Sabri Hamiti zhvilloi dje pasdite një takim të posaçëm dhe me deputetët e Komisionit parlamentar të Integrimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›