E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do ia bëj Edi Ramës më zi se ç’ua ka bërë Skënderbeu turqve

Nga Tema

Kryeministri, Sali Berisha, duke folur gjatë vizitës së tij në Shkollën e Mesme të Bashkuar “Besnik Hidri” të komunës Shënavlash, tha se do ia bënte Edi Ramës më zi se ç’ia ka bërë Skënderbeu turqve.

“Unë isha dje në Krujë dhe krutanët i gjeta të lënduar nga fushata e shpifjeve të tyre kundër Skënderbeut, shpifje të cilat kanë vetëm një qëllim, të prekin thelbin e identitetit tonë kombëtar, thelbin e qëndresës sonë. Historia jonë nuk ka qenë histori e lehtë, kemi pasur kulme si në kohën e Skënderbeut, por kemi pasur edhe shekuj pushtimesh të gjata. Natyrisht, kulmi dhe lavdia është ajo që trashëgohet nga qytetarët shqiptarë.

Aty në Krujë, para shtatores së Skënderbeut, i bëra thirrje kryetarit të opozitës, por edhe këtu i bëj thirrje: zoti Rama, kam një kërkesë për ty, kërkesë që nuk e kam aspak në interesin tim, në interesin e mbështetësve dhe simpatizantëve të mi, por e kam në interesin më të mirë të anëtarëve të PS dhe mbështetësve të tu: Dil në shesh, bëju burrë, shkëputu nga karrigia e kryetarit të bashkisë, jep dorëheqjen dhe hajde të bëjmë garën ballë për ballë! Kush do ta fitojë. Mos u fshih pas karriges së kryetarit të bashkisë, por dil, sepse anëtarët e asaj partie, mbështetësit e saj, kërkojnë të të shohin ty që u prin, jo për kryetar bashkie, sepse aty të kanë dhe ua ke nxirë fare, duke marrë së bashku me ndihmesat e tu 59 leje ndërtimi. Çlirohu nga lejet e ndërtimit.

Në Krujë më erdhi ndërmend t’i thosha diçka, por mendova se po tmerrohej. Në Krujë i thashë: Eja këtu, ngriji sytë lart dhe shiko shtatoren e Skënderbeut, lutu të të japë pak kurajë. Kurse këtu te ju, po them këtë tjetrën: Për mua dhe për ju Skënderbeu është hyjni, është idhulli ynë, por unë atij do t’ia bëj më zi se sa ua ka bërë Skënderbeu otomanëve, jo me shpata, jo me topa, por me vota, me vota të lira dhe të ndershme”, - tha Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›