Rama prezanton ekspertët në shtatë fushat kryesore të qeverisjes
Erisa Spiropali, Rexhep Meidani e Besnik Bare ishin tri figura që u shfaqen dje të parët në krah të Edi Ramës, pak minuta para nisjes së konferencës socialiste për prezantimin e programit qeverisës. Nga hotel “Rogner” deri te Pallati i Kongreseve, ku zhvillohej konferenca, Rama ka ecur në këmbë i shoqëruar nga Meidani, ish-president i zgjedhur nga socialistët, Besnik Bare, kryetar i PS Tiranë dhe Erisa Spiropali, e papërcaktuar ende se çfarë përfaqëson apo çfarë do të përfaqësojë në PS. Në sallën e Pallatit të Kongreseve ishin të pranishëm të gjithë deputetët e PS dhe figura të tjera të kësaj partie, por edhe ish-zyrtarë të lartë të saj, të cilët duket se nuk janë edhe aq afër strukturave të kësaj partie. Ishin të pranishëm më shumë të rinj, por edhe disa veteranë. Të ndarë në panele të veçanta, bashkë me Ramën ishin edhe përfaqësues të PS për shtatë shtyllat e programit të kësaj partie. Në rreth 20 drejtues të PS në shtatë fushat kryesore të qeverisjes, vetëm Arben Malaj e Andis Harasani, por edhe Shkëlqim Cani i përkasin asaj kategorie politikanësh të PS që njihen dhe kanë një përvojë politike disavjeçare në këtë parti. Pak prej tyre i përkasin kohës së pas-kongresit të tetorit 2005, kur Rama u zgjodh kryetar i PS, ndërsa pjesa kryesore i përket pikërisht figurave politike që po promovohen në publik kohët e fundit. Pavarësisht kësaj, ka gjasa që këto personazhe të sapodalë në skenën politike të jenë të gjithë në vendet e para të listës së kandidatëve për deputetë të PS në qarqe. Por në disa rrethe të vendit, socialistët kanë nisur reagimet kundërshtuese ndaj kësaj politike të re të Edi Ramës. Socialistët konservatorë duket se do ta kenë të vështirë të pranojnë një listë të Ramës, e cila në përqindjen e madhe të saj të përbëhet nga figura të reja në politike. Sidoqoftë, mbetet për të parë lista zyrtare e kandidatëve për deputetë të PS, e cila pritet të zyrtarizohet në mbledhjen e afërt të kryesisë së PS. Burime pranë PS janë shprehur se kryesia mund të mblidhet të hënën, në skajet e përfundimit të afatit ligjor.
Imazhi i ri i PS në fushatën elektorale
Arben Malaj, Andis Harasani e Shkëlqim Cani është gjithçka ka mbetur nga PS e vjetër për të përfaqësuar nivelet më të larta të PS në nivel ekspertësh në shtatë shtyllat kryesore të programit të PS. Të tjerët i përkasin brezit të ri në PS, politikës së re të Edi Ramës. Ndonjë prej tyre prezantohet për herë të parë në publik, ndërsa të tjerë kanë pak kohë që i janë bashkuar podiumeve të Partisë Socialiste apo karrigeve të kësaj partie në debate televizive.
Sipas shtatë shtyllave kryesore të programit të PS, figurat përfaqësuese që përbëjnë imazhin e PS në fushatën elektorale janë:
Ekonomia: Arben Malaj, Rudina Seseri, Shkëlqim Cani, Andis Harasani
Mjedisi: Besnik Bare, Anxhela Xhindoli
Kohezioni social: Eglantina Gjermeni, Shega Ligori
Zhvillimi rural dhe bujqësia: Bizena Bio, Rezear Kola, Ervin Bushati
Shëndetësia: Ilir Beqja, Silva Bino
Integrimi: Ditmir Bushati, Genti Tare
Edukimi: Ledi Shamku, Alma Shazi
Shanset e barabarta: Shega Ligori
Ata janë vendosur në podiume të veçanta dhe kanë folur për fushatat që ata përfaqësojnë në programin qeverisës të PS, duke publikuar edhe premtimet përkatëse.
Ndërsa ish-presidenti, Rexhep Meidani, i ka dorëzuar Edi Ramës në mënyrë simbolike librin e programit elektoral të PS, si dhe e ka prezantuar Ramën si kryeministër të ardhshëm të Shqipërisë.
Veç emrave të rinj që u prezantuan dje në konferencën e PS, ndryshimi duket edhe në detajet e tjera, duke nisur që tek emërtimi konferencë dhe jo kongres i PS, siç është quajtur më parë kongresi elektoral. Madje, edhe ovacionet në sallë, të cilat përcillnin fjalën e Edi Ramës, janë urdhëruar nga ky i fundit që të jenë të ndryshme nga ovacionet që përcillnin fjalën e ish-kreut socialist, Fatos Nano. Rama ka ndërhyrë pikërisht në momentin kur një grup të rinjsh i drejtoheshin me ovacione me parullën: “Do fitojmë apo… Po! Po! Po!”
Rama ka reaguar duke i urdhëruar: “Mjaft! Është politikë e vjetër!”
Të gjitha detajet e konferencës së djeshme të PS ishin tërësisht të ndryshme nga kongresi elektoral socialist i 5 majit të vitit 2005.
Malaj: Politika fiskale që nxisin modernizimin e ekonomisë
“Ekonomia dhe buxheti i vendit janë sot përballë sfidave të vështira. Ritme të larta të rritjes ekonomike, ulja e papunësisë dhe një kohezion social më i plotë janë në themel të programit tonë ekonomik. Pa ritme të larta të një rritjeje ekonomike cilësore dhe të qëndrueshme, çdo premtim tjetër do të ishte vetëm demagogjik. Ne do të synojmë të arrijmë brenda një viti ritmet e larta të rritjes ekonomike. Ne do të synojmë një inflacion të ulët. Ne do të aplikojmë politika fiskale që nxisin modernizimin e ekonomisë. Programi ekonomik na lejon të premtojmë uljen e ndjeshme të papunësisë. Ne do t’i rikthejmë shpejt vendit stabilitetin buxhetor. Ne do të reduktojmë deficitin buxhetor. Në asnjë rast nuk do të rrisim deficitin dhe nuk do të marrim borxh, përveçse për investime publike. Ne do të reduktojmë borxhin publik dhe koston e tij.
Politikat tona fiskale nuk do të jenë magnete investimesh të përkohshme për projekte të preferuara kryeministrore. Sfidat tona ekonomike do t’i përballojmë edhe me bashkëpunimin maksimal dhe efektiv me të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare. Bashkëpunimi me FMN do të nisë që më 29 qershor. Socialistët do të ofrojnë përgjegjshmëri dhe angazhim maksimal për të ndalur krizën e buxhetit dhe të ekonomisë sonë. Ne do t’i rikthejmë vendit dhe investitorëve shpresën dhe besimin e së ardhmes. Brenda 50 ditëve të para të mandatit do të prezantojmë një paketë antikrizë.”
Shamku: Arsimi që duam ne socialistët
“Ne jemi për një politikë të re, e cila mbështetet:
Te forcimi i identitetit evropian e kombëtar në gjithë sistemin tonë arsimor, publik e privat e në të gjitha ciklet dhe natyrat e shkollimit! Tek edukimi me vlera shpirtërore që kultivojnë ndjenjën e qytetarisë e të përkatësisë evropiane!
Te shkollimi i gjithsekujt sipas talentit dhe aftësisë, duke e shndërruar shkollën në një kultivuese të vërtetë dhuntish e mundësish!
Te shkollimi me laboratorë modernë e mjete didaktike funksionale, ku mësues e pedagogë nuk detyrohen më të shpjegojnë me gishta!
Tek arsimi që garanton punësim, që bazohet në teknologji dhe vlera qytetare e që siguron punë në Shqipëri dhe jashtë saj!
Te shpërblimi real i punës së arsimtarëve, duke mos u ndalur vetëm te paga, po edhe te rivendosja e dinjitetit të tyre! Tek unifikimi i vërtetë i programeve tona shkollore me ato të Evropës, për ta përmbushur kësisoj ëndrrën që përkund çdo prind shqiptar për bijtë e vet!
Te politika që në raportin sistem publik-sistem privat, e sheh privatin si partner të shtetit drejt synimit të përbashkët!
Te shndërrimi i Shqipërisë në një kantier të vërtetë mundësish shkollimi e kursesh riaftësimi!
Te qeverisja që arsimin e ka zë kryesor në buxhetin e saj dhe këtë nuk e konsideron thjesht si shpenzim, por si një investim për të ardhmen!”
Bushati: Garantimi i pronës rrit mirëqenien në fshat
“Politika e re e zhvillimit që propozojmë është:
Transformimi i bujqësisë nga një aktivitet mbijetese, në një sektor modern në një ekonomi të hapur. Do të promovojmë konkurrencën e lirë dhe të drejtë të një prodhimi cilësor; të mjaftueshëm për të mbuluar tregun vendas e më gjerë. Objektiva të zhvillimit të Partisë Socialiste janë:
1. Rritja e mirëqenies në fshat dhe garantimi i pronës dhe i sigurisë social-ekonomike.
2. Bashkë do të mbështesim prodhimin vendas nëpërmjet zhvillimit, profilizimit dhe konsolidimit të biznesit agrar në një treg funksional. Biznesi agrar do të përjashtohet nga taksat për 3 vite.
3. Synojmë rritjen e ekonomisë rurale me aktivitete si: agro-industria, turizmi, bimët e egra dhe medicinale, produktet bio dhe artizanale, peshkimi, pyjet, gjuetia dhe agroturizmi.
Me Partinë Socialiste, zonat rurale do të shkojnë përtej përmirësimit të prodhimtarisë në bujqësi; ato do të sigurojnë rritje të mirëqenies dhe një jetë dinjitoze. Nesër fshatari do të jetë pronar i tokës që punon.”