E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri shpjegon diagnozën e personalitetit të shumëfishtë

Nga Antena brenda familjes

Zëdhënësja e re e PD po priste t’i dërgonte ai burri fletërrufenë e radhës që duhet të lexohet para medieve.

Meqë deklarata po vonohej, u fut ta priste në zyrën e Flamurit, e vetmja e hapur në godinë.

- Di gjë ti Flamur, përse do të flas unë para gazetarëve sot?

- Po ja, si gjithnjë, për fustanin e Mimi Kodhelit, për lejet e Alban Eftimit dhe për pallatet e Delijorgjit që ka lejuar Edi Rama.

- Po ato unë i kam thënë kaq herë këto ditë, pse prapë ato do them?

- Derisa t’i kujtohet ndonjë gjë tjetër atij burrit, ato ke për të thënë dhe për një muaj rresht.

- Ua, po kjo deklarata po vonohet, sa vonon ai në këto raste?

- S’ka gjë, - e qetësoi Flamuri, - Bogdani, kur ia vononte, bënte fotokopje atë të një dite më parë.

- Ua, po sikur të më pyesin ndonjë gjë tjetër ata gazetarët, ç’t’iu them unë? Se janë bërë shumë të bezdisur këta gazetarët, ku s’i fusin hundët, sikur i di unë të gjitha.

- Mos ki problem, se ata e dinë që ti je kot, sa për të lexuar dhe s’di gjë prej gjëje, ndaj s’kanë për të të pyetur.

- Po sikur të më bëjnë ndonjë pyetje për djalin e kryeministrit, ç’t’iu them unë, se këto janë dhe gjëra me zarar?

- E pe tek Ora News mbrëmë, thuaj fjalët e atij burrit. Nuk ka fakte dhe pikë.

- Po sikur të më thonë, ai ka folur 50 herë në telefon me Mediun dhe Delijorgjin, çfarë t’iu them?

- Thuaju që ky nuk është fakt, po patën fakt tjetër, ta thonë.

- Po sikur të më pyesin për lidhjen e Zenit me Rrahmanin?

- Edhe ky s’është fakt, - thuaju.

- Po sikur të përmendin lidhjen e Zenit me Delijorgjin dhe ato udhëtimet misterioze?

- Edhe ky nuk është fakt, - thuaju.

- Qyqja, po si nuk qenkan fakte gjithë këto mor Flamur?!

- Dëgjo, se ti je e re dhe s’e ditke akoma atë historinë e faktit, po ai burri e di mirë. Fakti asnjëherë nuk duket aty për aty, e nxjerr kokën pas 9 muajsh moj vajzë, dhe kur s’duket fakti, d.m.th., që tjetri nuk mund të quhet fajtor pa fakte.

Ndërkohë ra zilja e telefonit dhe ishte ai burri.

- Shkruaj, - tha ai burri. - Kam ndërtuar 26 km rrugë në fshatin Rrashbull, kam ndërtuar 200 km rrugë në breg të detit, kam ndërtuar 110 m rrugë te gjimnazi i Përmetit. Kryeministri, d.m.th., unë, jam babai i Shqipërisë moderne. Kam ndërtuar 120 km në rrugën Durrës-Kukës. Do të ndërtoj në vitin e parë të mandatit të dytë të gjitha ato që iu premtova në vitin e dytë të mandatit të parë dhe që do t’i kenë të përfunduara në vitin e tretë të mandatit të dytë.

Opozita mos të fshihet mbas fustaneve…

- OK, OK, - tha zëdhënësja, se i erdhi zor nga kjo punë e fustanit. - E kam këtë në kompjuter, e marr nga dje.

- Hë, ç’të tha? - e pyeti Flamuri.

- Më foli vetëm për kilometra. S’e di pse e mundon veten kaq shumë që mban mend kilometrat.

- Lëre, lëre, ashtu e ka zakon, - ia ktheu Flamuri. - Mos e bëj llaf me njeri, po do të të tregoj një sekret profesional, se unë e di që ty s’të mbushet mendja, po unë jam dhe doktor. Njësoj siç e kam lënë unë mjekësinë dhe merrem me politikë, po ashtu ka bërë dhe ai burri, kjo quhet personalitet i shumëfishtë si diagnozë. Zakonisht, pacientit një ditë i duket vetja si Skënderbeu, një ditë si burrë shteti, një ditë shndërrohet në Ajzenhauer, një ditë si bizele, një ditë si kokërr misër, një ditë si rrënjë ulliri, një ditë si koshere blete, sot e paska ditën t’i duket vetja si taksimetër që mat kilometrat. S’është faji i tij. Këto çrregullimet e personalitetit janë problem i madh, se dhe s’e pranojnë kurrë që janë sëmurë. Po ti je rehat, se s’merr vesh nga këto punët e mjekësisë, të kam zili. ǒtë bëj unë i shkreti që kam një zanat me të.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›