Berisha: Do ikin krerët e Sigurisë Kombëtare
Kryeministri Sali Berisha paralajmëron drejtuesit e institucioneve të Sigurisë Kombëtare se do të lënë postet drejtuese, për shkak të reformës së thellë në këto institucione. Berisha përforcoi dje idenë se të gjitha institucionet e sigurisë kombëtare do t’i nënshtrohen reformës. Shkak është bërë tragjedia e rëndë e Gërdecit. Paralajmërimi i Berishës për ikjen e të gjithë drejtuesve të institucioneve të sigurisë kombëtare, vjen në të njëjtën ditë me firmosjen nga Presidenti Bamir Topi, të shkarkimit të gjeneralit Luan Hoxha. Në mbledhjen e djeshme të Komitetit Ndërministror për Integrimin në NATO, Berisha bëri të qartë se ftesa për anëtarësim në NATO ka shumëfishuar përgjegjësitë e qeverisë dhe të vendit për të proceduar me reforma edhe më të thella dhe për të konsoliduar arritjet e reformave të deritanishme. Duke u ndalur tek reforma në Forcat e Armatosura, Kryeministri paralajmëroi se në vitin 2010 do të ketë një ushtri tërësisht profesionale. Për sa i përket fushës së sigurisë, kreu i qeverisë apeloi se "reformës do t'i nënshtrohen të gjitha institucionet e fushës së sigurisë. Kjo synon në radhë të parë një mirëkoordinim dhe bashkërendim të punës së tyre, rritje të eficencës, zhvillim të kapaciteteve dhe përcaktimit më të qartë të përparësive”. "Komiteti i Politikave të Sigurisë është mbledhur dhe ka përcaktuar disa detyra. Agjencitë do të bëjnë sugjerimet dhe problemet e sigurisë do të jenë të parat, pasi NATO është para së gjithash Aleancë e Sigurisë", - deklaroi Kryeministri. Para anëtarëve të Komitetit Ndërministror për Integrimin në NATO, Berisha pas anëtarësimit në NATO, kërkohen reforma të thella në FA dhe institucionet e sigurisë kombëtare. Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha vlerësoi se "këto reforma kanë pasur rezultate të qarta dhe të rëndësishme në fushën e luftës kundër krimit të organizuar, luftës kundër korrupsionit, në fushën e respektimit të rregullave të tregut dhe krijimit të një klime të favorshme për tregun, si dhe në fushën e Forcave të Armatosura". Sipas tij, një progres të dukshëm ka bërë reforma në Forcat e Armatosura, ndërkohë që është rritur numri i ushtarëve buxhetorë, me qëllim që në 2010 të kalohet në ushtri profesionale. Por kreu i qeverisë gjykon se një rëndësi shumë të madhe ka lufta kundër trafiqeve. Për këtë, Berisha e quan të domosdoshme që strategjia të transkriptohet në një plan të shpejtë veprimi, për të trajtuar në të gjitha aspektet. “Qeveria ka bërë shumë, por hapësirat janë të mëdha për të bërë më shumë. Së pari, të gjitha qendrat e rikthimit duhet të jenë buxhetore dhe duhet të merren tërësisht në përgjegjësi të qeverisë, sigurisht të hapura për kontributet shoqërore të OJQ-ve, por për sa u përket nevojave bazë, që të gjitha do të garantohen nga qeveria dhe do të merren në përgjegjësi të qeverisë”, - deklaroi Kryeministri i vendit.