Qeveria, një tjetër buxhet për 2008-n
Kryeministri Sali Berisha njoftoi se gjatë këtij muaji do të paraqitet një buxhet i dytë në Parlament, sipas tij, tërësisht rezultat i një disipline fiskale më të mirë, i luftës kundër kontrabandës, korrupsionit, evazionit. Në mbledhjen e djeshme të KNI-së, Kryeministri vuri në dukje ecurinë shumë pozitive të reformave në luftën kundër korrupsionit, rezultatet e së cilës, si nxjerrja e administratës nga konflikti i interesit, shkurtimi me një të tretën i shpenzimeve operative të administratës, ulja me rreth 18 për qind e kostos së prokurimeve publike, janë ndër më të ndjeshmet. “Sot inauguruam fillimin e terminalit në portin e Durrësit me një vlerë 33 % më të ulët se parashikimi. Transparenca e privatizimeve, privatizimi i ARMO-s me një vlerë rreth 13 herë më të madhe sesa vlera e ofruar rreth 4 vjet më parë. Mbledhja e të ardhurave, rritja e tyre pavarësisht nga ulja e taksave në masën 1.2 miliard dollarë janë nder treguesit me kryesorë të luftës kundër korrupsionit”, - u shpreh Kryeministri. Në kushte të tilla, Berisha njoftoi se në muajin qershor, si rezultat i një disipline fiskale më të mirë dhe i luftës kundër kontrabandës, korrupsionit dhe evazionit, do të paraqitet në Parlament një buxhet i dytë.