E Diel, 1 Nëntor 2026

Zafir Berisha, Oketës: Shqipëria të na mbështesë për sigurinë

Kosova kërkon të përfitojë nga Shqipëria përvojën profesionale në fushën e sigurisë kombëtare. Këtë gjë ia pohoi dje ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, grupi i deputetëve të Komisionit parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri të Republikës së Kosovës, të kryesuar nga anëtari i këtij komisioni, Zafir Berisha. Vizita që po bëjnë në Tiranë, sipas tyre, do të shërbejë për të përfituar nga përvoja juaj, por duke kërkuar edhe mbështetje profesionale, nisur nga fakti që vendi ynë ka përvojë afatgjatë në këto çështje. Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes, Oketa, shprehu gatishmërinë e bashkëpunimit ndërministror që vendi ynë i jep Kosovës, duke theksuar se “nga ana jonë nuk do t’ju mungojë mbështetja në çështjet që lidhen me fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, dhe bashkëpunimi në këtë sektor do të vazhdojë”. Oketa u përcolli atyre urime të veçanta edhe për aktin e djeshëm të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. “Një shtet që ka themele të forta, do të jetë më i fortë dhe më i qëndrueshëm. Prandaj dhe ta gëzoni Kushtetutën”, - tha Oketa. “Para pak ditësh, - vijoi ministri, - isha në një takim të ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, që u mbajt në Bruksel dhe që diskutoi për kontributin e KFOR-it në Kosovë. Të gjithë pjesëmarrësit në këtë takim shprehën mbështetjen për vazhdimin e misionit të KFOR-it”, - nënvizoi Oketa.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›