E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spanja, projekt për trajnimin e administratës

Kryeministri Berisha, ministrja Bregu dhe ambasadori i Mbretërisë Spanjolle në Tiranë, përuruan paketën spanjolle të trajnimit të administratës shqiptare, për procesin e integrimit. Në kuadër të ngritjes së kapaciteteve administrative, Ministria e Integrimit në bashkëpunim me Departamentin e Administratës Publike, Ambasada Spanjolle në Shqipëri, Drejtoria e Shtetit për Bashkimin Evropian dhe Shkolla Diplomatike Spanjolle përuruan sot një paketë trajnimi, e cila përbëhet nga një sërë kursesh mbi çështjet e BE-së, të cilat do të zhvillohen gjatë periudhës korrik-dhjetor 2008. Kjo paketë trajnimi u mundësua si rezultat i zbatimit të Memorandumit të Bashkëpunim nënshkruar në datën 13 nëntor 2007 ndërmjet ministres së Integrimit, znj. Majlinda Bregu dhe sekretarit spanjoll të Shtetit për Bashkimin Evropian, z. Alberto Navarro Gonzales, për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. I pranishëm në këtë përurim ishin Kryeministri z. Sali Berisha, ministrja e Integrimit, znj. Majlinda Bregu dhe ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, z. Manuel Montobio. Ministrja Bregu bëri prezantimin e kësaj pakete të rëndësishme që siguron fuqizimin e kapaciteteve administrative, një nga rekomandimet kryesore të partneritetit evropian.

Berisha inauguron terminalin e portit të Durrësit

Kryeministri Berisha mori pjesë dje në inaugurimin e nisjes së punimeve për ndërtimin e terminalit të ri të pasagjerëve, në portin e Durrësit. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacioneve, Sokol Olldashi, drejtori i Autoritetit Portual të Durrësit, Eduard Ndreu, Presidenti i Kompanisë ndërtuese sllovene SCT, Ivan Znedar, autoritete të tjera të portit etj. Ky projekt është investim i Bankës Evropiane të Investimeve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, përmes kredisë së dhënë qeverisë shqiptare, me vlerë 15.2 milionë euro. Afati i përfundimit të projektit është muaji prill 2010. Projekti parashikon ndërtimin e një terminali modern, me një sipërfaqe mbi 5 mijë metër katrorë dhe do të përfshijë të gjitha ambientet e nevojshme për shërbimin dhe kontrollin e pasagjerëve, sallat e pritjes, pikat e shitjes së biletave dhe agjencitë e udhëtimit, pikat e kontrollit doganor etj. Ky terminal do të sigurojë lëvizjen komode dhe me shpejtësi të pasagjerëve, veçanërisht në periudhën e mbingarkuar të verës. Ai do të ketë një kapacitet të menjëhershëm për rreth 2 mijë pasagjerë, me një parkim për rreth 2 mijë automjete. Krahas ndërtimit të terminalit të pasagjerëve dhe godinave të tjera ndihmëse të shërbimit doganor dhe të sigurisë, parashikohen edhe punimet për ndërtimin e shesheve e rrugëve lidhëse në zonën e operimit të trageteve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›