Gripi i derrit, infermierët nuk kanë maska e doreza
zirina llambro
Në një kohë kur vendi është në vigjilencë për gripin e derrave, infermierët janë të pambrojtur. Ata nuk kanë mjetet e posa-çme për të shmangur sëmundjet e transmetueshme. U mungojnë maskat e dorezat. Kjo ndonëse janë në kontakt gjithë kohës me të sëmurët. Megjithëse Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se çdo ditë shpërndahen pajiset mbrojtëse në spitale, gjithçka hidhet poshtë nga personeli i mesëm. Sipas tyre, kushtet e punës lënë për të dëshiruar. Problemet u ngritën dje në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë. “Përfaqësues të infermierëve nga qarqet kryesore si Berati, Vlora, Shkodra etj, kanë ngritur zërin për mungesën e mbrojtjes së tyre gjatë procesit të punës përmes mjeteve të posaçme, të cilat do t’i mbronin nga sëmundjet e ndryshme”, thuhet në deklaratën për mediat të urdhrit. Sipas tyre, parë gjithçka edhe në kuadrin e alarmit për rrezikun e prekjes së vendit tonë nga virusi H1N1, bëhet akoma më akute domosdoshmëria e zgjidhjes së këtij problemi madhor. “Duhet të mbrohet me çdo kusht personeli mjekësor nga rreziqet me të cilat mbarten gjatë procesit të punës së tyre të përditshme”, thonë infermierët. Një tjetër mangësi e ngritur prej tyre është edhe indiferentizmi i shtetit për të nxitur ecurinë e kualifikimit. “Gjendemi të privuar nga organizimi i aktiviteteve trajnuese apo kualifikuese gjë që duhej në fakt të merrej përsipër nga instancat shtetërore, që janë të interesuara për ecurinë e këtij sektori të rëndësishëm të shëndetësisë në vend. Mungojnë bibliotekat me literatura të posaçme, të cilat do ndihmonin në pajisjen me më shumë njohuri për ta”, theksoi presidenti i Urdhrit të Infermierit Sabri Skënderi. Ai ka vënë në dukje se një shërbim i tillë mungon në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës “Nënë Tereza”, e as mund të pretendohet që gjendja të jetë më e mirë nëpër rrethe. Sipas Skënderit, është fakt se niveli i infermierëve lë për të dëshiruar dhe kjo për shkak të mungesës së mbështetjes, që u jepet atyre për të përmirësuar formimin e tyre profesional të vazhdueshëm. “Shteti nuk ka planifikuar asnjë fond për kualifikimin e punonjësve të infermierisë, madje dhe për vetë ekzistencën e Urdhrit të Infermierisë fondi i caktuar nga qeveria së fundmi ka qenë shumë i pakët, e kështu, ai nuk mund të realizojë dot shumë nga prioritetet për të cilat është ngritur si institucion”, tha Skendëri. Në spitalet e poliklinikat e vendit janë të punësuar rreth 12 mijë infermierë. Në shërbimet me risk në QSUT jo pak infermierë kanë marrë një sëmundje të transmetueshme. Nga një studim që u bë disa kohë më parë në shërbimin e dializës rezultoi se rreth 20 infermierë ishin të infektuar me hepatit në ambientet e punës. Po ashtu edhe në spitalin infektiv janë hedhur dyshime të herëpashershme për marrjen e sëmundjeve të ndryshme prej personelit të mesëm.