“E kam shok ministrin e Kulturës...”
Esat Ibro* & Artan Maku*
Kohët e fundit, papritmas në shtypin shqiptar (pas një heshtjeje totale prej katër vjetësh) është ngritur një zhurmë e tërë mbi QKK, mbi kryetarin dhe veprimtarinë e saj. Ju do të thoni përse pikërisht tani?...
Përgjigjja është e thjeshtë. Sepse mandati i kryetarit të QKK-së ka mbaruar dhe sipas ligjit, Kryeministri duhet të emërojë kryetarin e ri që do të drejtojë këtë institucion për 4 vjet të tjera. Çudia qëndron në faktin se ish-kryetari, Xhevdet Feri, u dërgon të gjitha shtëpive filmike një e-mail ku deklaron se do të vazhdojë të jetë kryetar… Pjesa tjetër e argumentit se përse do të vazhdojë të jetë kryetar është një deklaratë kafenesh … “do të vazhdoj të rri, sepse Ministrin e Kulturës e kam shok të ngushtë…” Të na falni, por këtu komunitetit të kineastëve iu sos durimi. Ky është një shantazh alla shqiptar (që sot po përdoret dendur) për ta bërë sëmundjen e madhe të heshtjes të këtij komuniteti edhe më të rëndë nga ç`është realisht.
Para pak ditësh, në premierën e filmit serbo–shqiptar të regjisorit serb, Goran Paskaljeviç “Muajt e mjaltit”, film i financuar nga QKK-ja jonë dhe shteti serb, në titrat e fundit u shfaqën si pjesëtarë të grupit realizues edhe emrat e disa punonjësve të QKK-së, gjë që përben një shkelje të hapur ligjore, që quhet konflikt interesi dhe që të çon drejt e në sallën e gjyqit. Po këto emra i gjejmë edhe në dy filmat e Minarollit, në filmin e Spartak Pecanit, në filmin e Fatmir Koçit “Koha e kometës”… Po kështu kryetarin e QKK-së e gjejmë në rolin kryesor të filmit të Vladimir Priftit “Dasma e Sakos”, e gjejmë në një rol te “Koha e kometës”, e gjejmë në një nga rolet kryesorë te “Gjallë” të Minarollit… Angazhimi në role në filmat që ka vënë firmë për financimin e tyre kryetari Xh. Feri është një fakt që përbën konflikt të lartë interesi. Është si ta themi; të japësh lekë me dorën e djathtë dhe t’i marrësh me dorën e majtë. Këtu nuk flitet për çështje morali. Në çdo shoqëri normale do të mjaftonte vetëm ky fakt që titullari dhe nëpunësit e institucionit, jo vetëm të pushoheshin nga puna, por të ndiqeshin penalisht.
Çuditërisht punonjësit e QKK, jo vetëm qe nuk e ndiejnë veten fajtorë, por janë aq trima sa ta venë emrin e tyre në kopertinën e filmit. Ajo që të befason është fakti që askush nuk u ndje për këtë, bile as Kontrolli i Lartë i Shtetit! Në një rast të përafërt para pesë vjetësh, djali i një nëpunësi të QKK fitoi një projekt dokumentari (nëpunësi quhej I. Muçaj) kryetari i atëhershëm e detyroi, ose të largohej nga detyra, ose të anulohej financimi i projektit. Muçaj preferoi të largohej nga detyra. Në të vërtetë përmendëm një nga problemet sesi ka funksionuar QKK gjatë 4 viteve, por ka plot raste skandaloze, të cilat kineastët i dinë mirë. Sigurisht që të tjerët të njohin mekanizmin diabolik të këtij institucioni, është shumë e vështirë në pak rreshta gazete. Në aparencë punët duken mirë. Herë pas here bëhet ndonjë premierë filmi. Ani se ka zgjatur 6 apo 5 vite, kryetari e quan prodhim të epokës së tij të ndritur, siç qe “Koha e Kometës”, apo “Kronikë provinciale”, apo “Lindje, perëndim, lindje”. Përse është kjo gjendje? Nuk dimë se nga ta fillojmë. Po e fillojmë nga Këshilli Miratues i Projekteve (Bordi, siç thirret shkurt). E dini se pse e filluam me bordin? Sepse të gjitha prapësitë, të gjitha manipulimet, të gjitha shkeljet ligjore, të gjitha fajet i ka bordi! (Kështu thotë kryetari, kur e pyesin!!) Dhe bordin e zgjedhin shoqatat. Duke lexuar Ligjin “Për kinematografinë”, në nenin 8 thuhet: “Këshillat miratuese të projekteve propozohen dhe zgjidhen nga shoqatat e kineastëve”. Duket se deri këtu çdo gjë është në rregull, bile mjaft demokratike. Por këtu, pikërisht këtu fillon anomalia. Së pari duhet pak histori për të kuptuar kush janë shoqatat. Kineastët dikur ishin të gjithë së bashku në një shoqatë të vetme me emrin Shoqata e Kineastëve të Shqipërisë, e cila kishte rreth 50 kineastë. Papritur u bënë dy dhe e dyta e quajti veten progresiste, pastaj u bënë tre. Animacioni nuk kishte dëshirë t’i ndante hallet me të tjerët dhe krijoi shoqatën e vet. Një grup kineastësh, ku dominonin aktorë me Xh. Ferin kryetar, shpallën shoqatën e katërt. Një grup tjetër, kryesisht dokumentaristë dhe regjisorë të larguar nga shoqatat e tjera, krijuan shoqatën e pestë. Sekreti ishte se secila do të delegonte 2-3 kandidatë për në Këshillat Miratues të Projekteve, aty ku votoheshin projektet që do të merrnin financim. Sigurisht këtu kishte një hile të vockël, fare të vockël, nga kryetari Xh. Feri. Çdo shoqatë do të përzgjidhte dy deri tre anëtarë për në bord, nga këto kryetari do të zgjidhte një për çdo shoqatë, ose dy sipas preferencave të tij. Kështu që bordi përfundimisht kompozohej nga kryetari. Në disa nga këto shoqata figurojnë si anëtarë gazetarë, fotografë, aktorë po se po, por edhe elektricistë dhe studentë. Prej vitesh në Këshillat Miratues të Projekteve rrallë mund të gjesh ndonjë kineast. Bile njëri nga kryetarët e Këshillit Miratues të projekteve ishte ekonomist (?!) E thënë shkurt, fajtorët e parë për këtë gjendje jemi ne, vetë kineastët, paaftësia jonë për të qenë të bashkuar dhe kërkues ndaj ligjit. Është një nga arsyet se pse paratë e taksapaguesve shqiptarë që jepen për të financuar filmat nuk ndahen sipas vlerave artistike që do të sjellë një vepër, por sipas klaneve. Është një nga arsyet se pse bëhen filma të dobët, pse abuzohet me buxhetet e tyre, pse kryetari e ka kthyer Qendrën Kombëtare të Kinematografisë në një çiflig personal, pse financohen me paratë e taksapaguesve shqiptarë regjisorë të huaj, pse financohen të vetëquajtur regjisorë, të cilët nuk kanë arsim përkatës, të cilët vijnë nuk dihet se nga. Në këto katër vite, Kryetari i QKK me arrogancën e vet nuk i ka mbledhur asnjëherë kineastët për të rrahur problemet që ka kinematografia jonë sot. Kryetari i QKK bën një politikë të filmit shqiptar sipas shijeve personale. Filmin dokumentar e ka përjashtuar nga financimi. Për vitin 2009 u realizuan vetëm dy filma dokumentarë me buxhet qesharak, aq fyes qe ky buxhet, sa regjisorë si Viktor Gjika, Vladimir Prifti, Esat Ibro e kthyen mbrapsht financimin e QKK-së. Në një vendim të dytë e ndaloi fare financimin e kësaj gjinie. Po kështu edhe me filmin e animuar. Janë tre projekte që pritën deri tani të financoheshin dhe para ca ditësh kryetari njoftoi producentin se i ka anuluar. As që do t’ia dijë nga reagimi i kineastëve. Ai i ka “shpatullat e ngrohta”. Pas vetes ka pushtetin e ministrit të ri, qe e ka shok fëminije. Nuk do që t’ia dijë se paratë e taksapaguesve shqiptarë, që janë planifikuar për kinematografinë shqiptare, për autorët shqiptarë, ia ka dhënë autorëve të huaj, kur ligji përcakton qartë se autorët kryesorë, regjisori dhe skenaristi duhet të jenë shqiptarë dhe se gjuha e folur në film duhet të jetë shqip edhe në një bashkëpunim. Për filmin e fundit të një regjisori gjerman, bëri hilen më banale, përkthyesen e vuri bashkëskenariste, një emigrante hallexheshë, që kurrë nuk është marrë me filmin. Gojët e liga flasin. Atë punë kanë... Këtij kryetari i ka mbaruar mandati, dhe tani ai është në ethe. Do që të rizgjidhet përsëri. Në të vërtetë ligji nuk lejon rizgjedhje, po atij aq i bën sa të ketë miq në qeveri. Në Ligjin “Për kinematografinë” Nr. 8096, datë 29.4.1996, neni 7 (kryetari) thuhet pa ekuivoke: “Kryetari i QKK emërohet nga Këshilli i Ministrave ndërmjet dy kandidaturave të propozuara nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për një periudhë katërvjeçare”. Ky nen nuk përcakton qartë nëse mandati është i rinovueshëm, por sido që të jetë ai duhet të bëjë procedurën. Duhet të shkojë përmes dy kandidaturave të Ministrisë së Kulturës për tu zgjedhur në Këshillin e Ministrave. Ligji përcakton qartë se mandati është vetëm katër vjeçar, por ish-kryetari, të cilit i ka mbaruar edhe mandati i dytë, po lufton për t’u zgjedhur për të tretën herë. Qendra është një folezë e ngrohtë sepse ka qenë një herë kryetar i QKK edhe në vitin 1996. Duke u rizgjedhur për të tretën herë ai kërkon të jetë udhëheqësi i filmit shqiptar për 12 vjet me radhë, duke ia kaluar kështu edhe Haxhi Lleshit si kryetar i Kuvendit Popullor njëherë e një kohë. Dhe n.q.s., rizgjidhet në kundërshtim me ligjin, puna do të vijojë si më parë. Në krye të bordit do të jenë prapë aktorë, gazetarë, ekonomistë, xhenerikë, por asnjëherë kineastë. Nëse rizgjidhet po ky kryetar, në sirtarët e tavolinës së tij qëndrojnë skenarë të gatshëm, për t’u financuar të regjisorëve rusë, dy amerikanë, një tjetër serb, maqedonë, grekë…, ku partnerë për realizimin e tyre do të jenë punonjësit e QKK dhe ku patjetër do të ketë një rol për kryetarin. Ish- kryetari u shpërndau të gjitha shoqatave një e-mail ku u kërkonte të paraqisnin kandidatët e bordeve. (Themi kandidatët, sepse ai përzgjedh midis tyre ata që do të bëhen anëtarë.)
Përse e bën këtë lojë? Ne të gjithë e dimë se buxheti i vitit 2010, i gjithi është i shitur, po kështu edhe buxheti i vitit 2011. Ju mund të habiteni dhe të pyesni se si është e mundur të ketë ndodhur kjo marrëzi. Po ja, si qëmoti, si heronjtë pararojë të komunizmit që punonin për pesëvjeçarët e ardhshëm, vetëm se me një ndryshim: Kryetari Xh. Feri ka harxhuar paratë e dy viteve të ardhshëm! Po, po. Ai ka futur në financim 5 projekte filmash artistikë dhe tani e për dy vjet nuk ka as edhe një qindarkë në arkë, përveç rrogave të punonjësve. Prandaj thotë me gjysmë zëri se ka punë nëpër duar, të cilat duhet t’i mbarojë. Është një nga arsyet që insiston për mandat të tretë. Po Kontrolli i Lartë i Shtetit a di gjë, do të thoni ju. Ju lutem, këto pyetje drejtojini më lart se shoqatat e kineastëve. Nëse ekonomistët e QKK (ato që kontrollojnë dokumentet e shpenzimeve) i gjeni të punësuar edhe në sheshin e xhirimit, siç vërtetohet nga emri i tyre në titrat e filmave, mos u shqetësoni. Kush më mirë se ato mund t’i sistemojë faturat e shpenzimeve, kur të mbarojë filmi. Kryetari duhet të lejojë pak shfryrje valvolash që të mos nxehet motori. Po t’i marrësh me radhë kusuret e QKK mund të çmendesh dynjanë. Një herë tjetër do të flasim për gjëra të tjera akoma më të lezetshme se këto që thamë. Ani, te mos ju lodhim më tepër. Kjo ishte vetëm maja e ajsbergut e “mafias” së kulturës, e cila po instalohet dalëngadalë para syve tanë. Ka ardhur koha që komuniteti i kineastëve të mblidhet, duke i shkrirë të pesë shoqatat dhe t’i japë fund kësaj farse me aktorë komedianë. Kineastët duhet të organizohen e të përcaktojnë rregulla të qarta loje, duke u ndërgjegjësuar se situata ka degjeneruar deri në marrëzi. Ka ardhur koha, kur në krye të QKK-së të jetë një kineast profesionist dhe jo një aktor i zakonshëm. Këtë organet e pushtetit duhet ta kuptojnë dhe të heqin dorë nga shoqëritë dhe miqësitë. Nuk ka si të ndodhë. Gjithmonë do të gjenden njerëz të guximshëm në emër të së vërtetës. Ky që po përjetojmë me QKK-në është një film i zi, i zvarritur, skematik, me gjetje diabolike, plot arrogancë e dhunë, që të mbush me trishtim, por aktet e tij po mbarojnë.
(* Regjisor, kryetari i Shoqatës së Filmit Dokumentar)
(* Regjisor, kryetari i
Shoqatës së Filmit të Animuar)