Berisha: Do ta ribëjmë ligjin e lustracionit
Kryeministri Sali Berisha lë të hapur mundësinë e ribërjes së ligjit të lustracionit me sigurinë e plotë se do ta vazhdojë betejën për hapjen e dosjeve brenda kornizave të shtetit ligjor. Por në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të PD-së, Berisha u vu përballë kërkesës së deputetëve për të ankimuar në Gjykatën e Strasburgut vendimin e Kushtetueses. Njëri prej tyre, z. Arian Starova, kërkoi me këmbëngulje që të bëhet një ankimin i tillë, gjë të për cilën Berisha nuk mohoi mundësinë e marrjes në shqyrtim për t’iu drejtuar Strasburgut. Megjithatë, pavarësisht pezullimit të ligjit nga Gjykata Kushtetuese, të cilin Berisha e quajti precedent të rëndë juridik, Kryeministri garantoi se do ta respektojë vendimin e saj. Z. Berisha theksoi se mazhoranca e pranon vendimin, pasi ajo respekton shtetin ligjor. "Duke denoncuar publikisht vendimin në konflikt të plotë interesi të gjykatësve kushtetues sigurisht që ne jemi të detyruar për shkak të parimeve të shtetit ligjor që vendimin ta marrim parasysh. Unë e kuptoj që ky është një mesazh tmerrësisht i hidhur që marrin sot qindra dhe mijëra familje shqiptare", - u shpreh Kryeministri Berisha. Duke folur në mbledhjen e grupit kuvendor demokrat, Berisha pohoi se jo vetëm anëtarët e Gjykatës Kushtetuese ishin në konflikt me ligjin, por edhe ata që e ankimuan, kanë të njëjtin problem, duke iu referuar këtu kryesocialistit Edi Rama. "Njeriu që do vinte në vitin '90 në miting aty prapa bibliotekës së universitetit dhe do më thoshte: "Ky fjalimi yt nuk është gjë, është i butë, duhen var", e pashë drejt e në sy: "Kë të varim?" - i thashë unë. "Ata, - tha, - Komitetin Qendror në Byronë Politike". Unë nuk kam krijuar partinë e varjeve, unë jam Parti Demokratike, absolutisht ishte me idetë e Enverit për Bahri Omarin", - vijoi Kryeministri. Z. Berisha shtoi në fund se mazhoranca përtej vendimit të Gjykatës Kushtetuese, do të vazhdojë betejën e saj për ligjin e lustracionit, por duke pasur gjithmonë kryefjalë respektimin e shtetit ligjor. Gjithsesi, Kryeministri bëri të qartë se pavarësisht vendimit të Kushtetueses, mazhoranca qeverisëse do të respektojë ligjin. “Jemi të detyruar të pranojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, edhe pse nuk jemi dakord me të. Qeveria ime nuk vihet kundër ligjit dhe ne do të zbatojmë vendimet e saj", - u shpreh Berisha. Gjithsesi, Kryeministri theksoi se Gjykata Kushtetuese dhunoi parimin e integritetit dhe theu ligjin e saj organik, ndërsa premtoi se ai vetë nuk do të tërhiqet kurrë nga ligji i lustracionit. Qëllimi i mazhorancës, sipas kreut të qeverisë, është "dënimi i krimeve kundër njerëzimit të periudhës komuniste dhe kjo mazhorancë, e cila lindi si përballje gjigande me diktaturën dhe krimin e saj monstruoz, nuk do të heqë dorë nga ky synim". Kryeministri Berisha u ndal tek lidhjet me të shkuarën të Edi Ramës dhe PS-së, e cila sipas tij, "edhe 18 vjet pas ndërrimit të emrit dëshmoi se ka mbetur ajo që ka qenë, një parti e dosjeve, e krimeve dhe urrejtjes klasore". "Edi Rama, pinjoll i arkivave të dosjeve, u transformua tani në një avokat të tmerrshëm të krimeve të familjes së tij. Zotimi ynë para shqiptarëve, por edhe komunitetit ndërkombëtar, ka qenë se ky proces do të bazohej në rregullat e shtetit ligjor, sepse vetëm në këtë mënyrë ky bëhet një proces si dobishëm dhe realizon qëllimin e tij. Ndaj dhe duke denoncuar publikisht vendimin në konflikt të plotë interesi të Gjykatës Kushtetuese, sigurisht që ne jemi të detyruar për shkak të parimeve të shtetit ligjor që vendimin ta marrim parasysh", - u shpreh Kryeministri Berisha.