E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvend, Bumçi: Dosjet i pezulluan mbetjet e komunizmit



Mazhoranca akuzoi dje në Kuvend se ligjin e lustracionit e pezulluan mbetjet e komunizmit. Gjatë seancës së djeshme parlamentare deputetët e PD-së reaguan për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të cilën e cilësuan si cenim i moralit e të së drejtës. Hartuesi i ligjit të dosjeve, Aldo Bumçi, ishte i pari që reagoi në Kuvend, duke deklaruar se ligji i lustracionit u pezullua nga “mbetjet e Partisë Komuniste në Partinë Socialiste të Edi Ramës dhe as në Gjykatën Kushtetuese”. Bumçi tha se nuk do të ketë kthesë prapa pas këtij vendimi, por do të shkohet deri në fund për të zbatuar ligjin. “Ky moral nuk mund të cenohet nga mbetjet e Partisë Komuniste në Partinë Socialiste të Edi Ramës dhe as në Gjykatën Kushtetuese. Këtë ligj ne do ta ndërmarrim sërish. Një Frankeshtajn politik ka mbetur sot PS, Edi Rama është më i interesuar për rrënjët e përgjakura të Partisë së Punës sesa për të ardhmen e shqiptarëve”, - deklaroi Bumçi. Deputeti i PD-së, Ferdinad Xhaferi, deklaroi se Gjykata Kushtetuese e ktheu ligjin për shkak se mbetej peng i tij. Sipas tij, kjo ishte arsyeja kryesore e pezullimit të ligjit. “Ju e kundërshtuat ligjin e dosjeve dhe Gjykata Kushtetuese mbeti peng e ligjit të dosjeve”, - tha Xhaferi.

Deputeti i Vlorës, Bujar Leskaj, kujtoi se kjo gjykatë ka konflikte të hapura interesi. Ai tha se në këtë organ ka njerëz që kanë lyer duart, por kërkoi nga ana e deputetëve që të kujtohen krimet e komunizmit. “Nuk duhet të flasim për interesat e “Fehmi Abdive”, por duhet të kujtojmë heroizmat e “Havzi Nelëve”. Për këtë ligj kemi nevojë të gjithë dhe kjo Gjykatë Kushtetuese që e quan veten të tillë, nuk duhet të harrojë të kaluarën”, - tha Leskaj. Ai tha më tej se në rast se shihet e domosdoshme, të ndërmerret edhe hapi që parashikon Kushtetuta në nenin 128 të saj, shkarkimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Pavarësisht se ky nen kërkon 2 të tretat e votave në Kuvend për të hequr anëtarët e kësaj gjykate, Leskaj nuk u shqetësua për këtë, por për arsyen e shkarkimit. Sipas tij, vendimi i tyre ishte i paprecedentë dhe siç e parashikon Kushtetuta, neni 128 mund të vihet në zbatim. “Ne, si PD, duhet të bëjmë një analizë se çfarë ka ndodhur dhe të analizojmë të gjithë personat”, - tha z. Leskaj. Mazhoranca duket se nuk do të ndalet nga vendimi i saj politik për t’i shkuar kësaj çështjeje deri në fund. PD-ja e cilësoi dje këtë vendim si një thyerje morali dhe të drejte njerëzore, aspak çështje politike. “A është ky morali juaj që ne të drejtohemi prapë nga ish-funksionarët e lartë të komunizmit, mbetjet e Partisë së Punës në Gjykatën Kushtetuese i vunë vulën votës kundër të socialistëve ndaj ligjit. Ky ligj nuk ishte për qytetarët, por standardi që qytetarët na kërkonin ne për administratën”, - tha deputeti i PD-së, Aldo Bumçi. Deputeti Leskaj tha se e djathta dhe PD-ja në veçanti ka një detyrë historike për të kryer. “Partia Demokratike ka detyrë që të ndërtojë demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Nuk duhet të harrojmë 6 mijë të pushkatuarit dhe mijëra të burgosur dhe të internuarit. Kemi një detyrë historike për të dëmshpërblyer shtresat e ish-të përndjekurve”, - deklaroi Leskaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›