Dade: Të ngrihet komision ad hoc për zgjedhjet
Sekretarja për marrëdhëniet me jashtë në Partinë Socialiste, Arta Dade, deklaroi dje se zgjedhjet janë në rrezik. Nisur nga kjo Dade i është rikthyer kërkesës më të hershme të PS-së për komisionin ad hoc për monitorimin e përgatitjes të zgjedhjeve. Njëkohësisht ajo kërkoi që qeveria të hapë zyrat përkatëse për aplikimin në të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit, pasi deri më sot kompanisë përgjegjëse për lëshimin e këtyre dokumenteve nuk i janë krijuar kushtet për të pasur zyrat e saj në çdo njësi vendore si dhe të krijojë kushtet për njoftimin dhe lehtësimin e procedurave për shtetasit që nuk janë të pajisur me pasaportë, duke përcaktuar afate kohore konkrete. Rezulton që numri i shtetasve pa pasaportë tejkalon dukshëm shifrën e dhënë nga MB-ja.
Edhe Bardhyl Agasi tek LSI-ja
Partia Socialiste e Durrësit pëson një tjetër largim nga radhët e saj. Ish-sekretari për marrëdhëniet me publikun në PS, njëkohësisht ish-deputet dhe ish-ambasador në kohën kur partinë e drejtonte Fatos Nano, është larguar nga PS-ja për t’iu bashkuar Lëvizjes Socialiste për Integrim në Durrës. Largimi i Agasit vjen pak ditë pasi ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit deklaroi bashkimin me LSI-në dhe u zgjodh edhe kryetari i kësaj partie për rrethin e Durrësit. Në prag të këtyre zgjedhjeve janë vërejtur raste të shpeshta të largimeve të disa anëtarëve të njohur të PS-së drejt LSI-së, e kryesisht bëhet fjalë për ato figura që janë përjashtuar nga strukturat drejtuese të partisë. Nga ana e saj, selia rozë ka heshtur ndaj këtyre largimeve, ndërsa Lefter Koka e ka arsyetuar bashkimin e tij me LSI-në se kjo është partia që po bën opozitë. Njëkohësisht nga radhët e PS-së është larguar edhe deputeti Memushi, i cili pritet që shumë shpejt të zyrtarizohet si kandidat i LSI-së në Gjirokastër.