E Shtunë, 31 Tetor 2026

Patozi: Abdiu mund të vriste Zogajn, Mustafajn dhe Blushin



“Në institucione ka fosile nga e kaluara të cilat do të ishin të gatshme të vrisnin ende në rast se diktatura nuk do të binte falë PD-së. Dhe po të ishte ende diktatura, Fehmi Abdiu do të vriste ende poetë. Mund të ishte radha e Preç Zogajt apo e Besnik Mustafajt, por mund të ishte edhe radha e Ben Blushit”. Kështu deklaroi dje në Kuvend kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, ndaj reagimit të deputetit të PS-së, Pandeli Majko, sipas të cilit, ligji i dosjeve doli bllof. Majko theksoi se të gjitha debatet për këtë ligj rezultuan pa vlerë, por sipas tij, Gjykata nuk e ka rrëzuar ligjin, por thjesht e ka pezulluar. “Më vjen keq për gjuhën që përdoret ndaj Gjykatës Kushtetuese, pasi ajo nuk e ka rrëzuar ligjin, por e ka pezulluar dhe ka kërkuar mendim nga Komisioni i Venecias”. Reagim i menjëhershëm erdhi edhe kreu i parlamentarëve të PD-së në Kuvend, Astrit patozi, i cili i cilësoi deklaratat e opozitës si naive. “Ne e dimë qe ju e keni idhull Fehmi Abdiun, e keni dhe e keni pasur tuajin. E keni pasur edhe deputet, por ajo është Gjykata Kushtetuese. Prandaj mos u bëni naivë që të na tregoni Gjykatën Kushtetuese dhe mos na thoni se sovrani është Gjykata Kushtetuese, por jemi ne deputetët, të zgjedhurit”, - tha Patozi.

Listat e zgjedhësve, debat në Kuvend

Regjistri i Gjendjes Civile shkaktoi përsëri dje debat në Kuvend. Opozita deklaroi se regjistri ka ende probleme. Nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, deklaroi se në regjistër numërohen ende 15 mijë emra të dublikuar dhe me probleme. Ai tha se procesi ende nuk ka përfunduar, por reklamohet si i tillë. Braçe është kundërshtuar nga ministrat e qeverisë. Fillimisht, ministri Nishani dhe pas zëvendëskryeministri iu kundërpërgjigjën Braçes, duke deklaruar se këto janë spekulime dhe ftuan opozitën që të shikojë punën e bërë nga afër. Opozita ngriti problemin e letërnjoftimeve të reja, pasi sipas saj, ka vonesa. Ministri Bujar Nishani tha se procesi po ecën normalisht dhe brenda pak kohe do të shihet efektiviteti i kësaj pune. Sipas tij, tashmë ka për herë të parë sot ka një regjistër elektronik të shtetasve shqiptarë dhe për herë të parë paraqiten listat paraprake katër muaj përpara zgjedhjeve. Ai shtoi se deri tani vetëm në Tiranë 100 mijë qytetarë kanë bërë aplikimin për letërnjoftimet e reja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›