Dosjet, Xhufi: Duhet ekspertizë ndërkombëtare
Socialistët për Integrim të Ilir Metës këmbëngulin se për ligjin e dosjeve duhet ekspertizë ndërkombëtare. Sipas nënkryetarit të LSI-së, Pëllumb Xhufi: “Qeveria duhet të kërkojë asistencë dhe ekspertizë ndërkombëtare që i është ofruar me bollëk, për të rishikuar ligjin në rast se ajo insiston vërtet që të ketë një ligj të ri për lustracionin”, - tha Xhufi. “Kryeministri dhe akoma znj. Topalli kanë refuzuar të konsultohen me grupet e interesit këtu në Shqipëri, dhe ç’është më e rënda, kanë hedhur poshtë dhe ofertën e përsëritur të partnerëve ndërkombëtare", - tha Pëllumb Xhufi. Sipas tij, ligji që u pezullua nga Kushtetuesja është një variant i atij të vitit '92, që solli shkarkimin në masë të rreth 80 për qind të administratës shtetërore.
Leskaj: PS, koherente në ligjin për lustracionin
Kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, u shpreh dje pas një mbledhjeje të radhës të grupit parlamentar se kjo parti vazhdon ta kundërshtojë ligjin e luistracionit për arsye që i ka shprehur dhe më parë. “PS-ja ka qenë dhe mbetet koherente në qëndrimin e saj për sa i takon ligjit të lustracionit dhe ky ka qenë motivi që ne kemi kundërshtuar këtë ligj, pra antikushtetutshmëria. Ne mbetemi koherentë në respektimin e vendimeve të institucioneve që u ngarkon ligji, pra të vendimeve të institucioneve kushtetuese”, - tha ajo. Leskaj vuri në dukje se mazhoranca duhet të respektojë vendimet e institucioneve kushtetuese.