E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do ta vendosim shëndetësinë në baza moderne digjitale

Nga Express më 27 shtator 2011 në ora 22:30

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë sot në ceremoninë e hapjes së Qendrës së Telemjekësisë së Shqipërisë.

Rrjeti i Programit të Integruar të Telemjekësisë dhe Shëndetit Elektronik në Shqipëri përbëhet nga Qendra e Telemjekësisë së Shqipërisë në QSUT, në Tiranë dhe prej disa Qendrave Rajonale të Telemjekësisë, në spitalet rajonale të Kukësit, Shkodrës, Durrësit, Korçës, Vlorës etj, ku një pacient nga secili nga spitalet e lartpërmendura mund të konsultohet në distancë nga një mjek konsulent në QSUT.

Gjithashtu, Qendra e inauguruar sot ofron mundësinë që pacientët e QSUT-së, në Tiranë, të mund të konsultohen nga mjekë të spitaleve ose qendrave mjekësore në vende të huaja. Shërbimet e para në QSUT kanë krijuar tashmë partneritete dhe telekonsulta me spitale dhe Institute të njohura në Evropë dhe SHBA.

Kryeministri Berisha dhe të pranishmit e tjerë vizituan gjithashtu edhe Bibliotekën Elektronike, ku mblidhen dhe ruhen materiale mjekësore në formë elektronike, ndryshe nga metoda klasike e deritanishme.

“Sot, ne përjetojmë një ngjarje të madhe në tërë historinë e sistemit tonë shëndetësor, sistemit tonë spitalor. Ndaj, me këtë rast, unë dua t’i shpreh mirënjohjen më të thellë qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, USAID-it, profesor Charles Doarn, profesor Rifat Latifit, të gjithë atyre që bënë të mundur shndërrimin në realitet të një projekti që në mendjen e çdo njeriu është një projekt ëndërr. Një projekt që realizohet në një kohë rekord, që shtrihet në 6 qarqe të vendit dhe që bëhen përgatitjet për t’u shtrirë edhe në 6 të tjera. Ky projekt lidh sot, Korçën me John Hopkins, një nga kryeqendrat botërore të mjekësisë, do të lidhë Kukësin nesër me Baltimoren dhe do të bëjë që të sëmurët të mund të kenë mendimin më të kualifikuar të kohës”, tha Berisha.

Duke shtuar se ky është vetëm njëri aspekt.

“Aspekti tjetër është ndikimi i jashtëzakonshëm që telemjekësia do të ketë në formimin e vazhdueshëm profesional të mjekëve tanë, sepse nuk ka energji më të fuqishme, sesa gara dhe secili nga mjekët, në komunikimin e diskutimin me kolegun e tij, do të jetë ndaj vetes shumë herë më kërkues. Sistemi nuk të vë vetëm para një sfide, por me librarinë elektronike të krijon mundësi të pakufizuara, të jashtëzakonshme për kualifikimin e përditshëm e më të madh”, shtoi ai.

Duke përfunduar se USAID-i, nga viti 2007 gjer më sot. ka realizuar projekte, të cilat kanë ndryshuar në mënyrë thelbësore e cilësore këtë vend.

“I tillë është projekti i prokurimeve elektronike, projekti që bëri që Shqipëria të meritojë çmimin e transparencës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i tillë është projekti i taksës elektronike, projekti ‘one stop shop’ që e renditet sot Shqipërinë në 10 vendet më të para në botë për regjistrimin e biznesit, i tillë është sot ky projekt i telemjekësisë që hap një kapitull të ri në diagnozën, në formimin dhe komunikimin në tërë sistemin tonë shëndetësor. Dua t’ju garantoj se do të bëjmë gjithçka për ta vendosur sistemin tonë shëndetësor, në tërësi e në çdo gjë, në bazat më moderne dixhitale. E-health, shëndetësia dixhitale është një nga projektet më madhore të dy viteve që vijnë. Projekt, i cili synon së pari, të përmirësojë ndjeshëm e të vendosë mbi baza të reja menaxhimi në tërësi të sistemit shëndetësor. Historia e suksesit është e lidhur më shumë se me çdo gjë tjetër me historinë e menaxhimit. Ndaj ne i kushtojmë një rëndësi kaq të madhe”, theksoi ai. /abcnews/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›