Raporti polic-banorë, shumë larg standardeve perëndimore
Pa shërbimet mbështetëse, Shqipëria ka 1 polic për 571 banorë
Reformat e njëpasnjëshme duket se kanë dëmtuar policinë shqiptare, jo vetëm në luftën kundër krimit, por edhe në arenën ndërkombëtare. Sinjali vjen nga specialistë të saj, të cilët tregojnë se për shkak të këtyre shkurtimeve, sidomos në periudhën 2005-2009, raporti i numrit të punonjësve të policisë për popullsinë tonë është shumë i zhdrejtë dhe larg parametrave të caktuara sipas standardeve të vendeve të zhvilluara. Një fakt i tillë është konfirmuar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pavarësisht se sipas tij, ky raport është shumë i zbutur. Por, burimet policore tregojnë se ndryshe nga vendet e tjera, përllogaritja në Shqipëri është bërë bashkë me efektin e shërbimeve mbështetëse, të cilat në të gjithë botën nuk cilësohen dhe nuk numërohen si forcë operacionale policore. Pa shërbimet mbështetëse rezulton se ne kemi 1 polic për 571 banorë, në krahasim me standardet një polic për 370 banorë.
Vetëm pak ditë më parë, pikërisht në analizën vjetore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kreu i kësaj strukture kaq të rëndësishme për rendin dhe sigurinë publike, deklaroi se aktualisht personeli i Policisë së Shtetit është bërë edhe më i përafërt në raportet me vendet e zhvilluara perëndimore, duke pasur 1 polic për rreth 420 banorë. Më tej, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, u shpreh se raporti i vendeve të zhvilluara perëndimore është 1 polic për rreth 370 banorë, që njëkohësisht është standardi i tyre. Duke bërë një analizë mbi këto shifra të publikuara zyrtarisht nga kreu i policisë, specialistëve të saj u rezulton se e vërteta nuk është plotësisht në këtë mënyrë. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht Policia e Shtetit, në të gjitha strukturat e saj, duke përfshirë edhe shërbimet mbështetëse, arrin afërsisht në numrin e 9600 punonjësve. Ndërsa nga shifrat zyrtare të Ministrisë së Brendshme, rezulton se popullsia shqiptare arrin në rreth 4 milionë banorë. Pra, sipas përllogaritjeve të kryera nga Drejtoria e Përgjithshme, rezulton afërsisht një polic për 420 banorë. Kjo shifër, e cila është sërish më e lartë se standardi i vendeve të zhvilluara, sjell për çdo punonjës policie mbingarkesë në punë. Mbingarkesa nuk është e vogël, por çdo punonjës policie duhet të përballojë 50 banorë më shumë se çdo koleg i tij në vendet e zhvilluara perëndimore. E veç kësaj, punonjësi i policisë në Shqipëri, në krahasim me kolegët e tij në vendet e tjera, ka kushte shumë më të këqija, duke nisur që nga ana ekonomike, sociale, teknike dhe profesionale, siç dihen edhe nga raportet e ndryshme dhe problematikat e vëna në dukje më parë.
Veç kësaj, një analizë tjetër që bëhet nga specialistët e policisë ka të bëjë edhe me gjendjen e kriminalitetit në Shqipëri. Sipas shifrave për banorë, krimi në Shqipëri nuk është më i vogël në krahasim me vendet e tjera të zhvilluara, marrë shkas kjo nga një sërë faktorësh, duke i rritur kështu përgjegjësinë edhe më tepër një punonjësi policie, i cili duhet të mbajë mbi supe më shumë se 420 banorë. Sipas standardeve perëndimore, raporti polic-banorë duhet të variojë një polic për 200 deri në 400 banorë, kjo duke u bazuar në shkallën e kriminalitetit. Para vitit 2005, policia shqiptare kishte në radhët e saj rreth 12 mijë e 500 punonjës policie dhe raporti ishte shumë më i mirë në krahasim me banorët. Por, reformat ishin të njëpasnjëshme, duke ulur ndjeshëm numrin e punonjësve të policisë. Specialistët tregojnë se problemi është edhe më i madh se kaq. Sipas tyre, vërtet në strukturat e policisë janë 9500 punonjës policie, por më shumë se dymijë prej tyre janë në shërbimet mbështetëse dhe nuk janë punonjës me gradë, duke mos njohur strukturat policore. Në këto shifra, duke zbritur edhe disa sektorë të tjerë, që sërish nuk bëjnë pjesë në forcat profesionale të policisë, numri shkon në rreth shtatëmijë punonjës policie. Kështu, duke bërë një përllogaritje në krahasim me popullsinë prej 4 milionë shqiptarësh, rezulton se raporti është një polic për 571 banorë. Madje, disa prej oficerëve të policisë që kanë kryer trajnime të ndryshme edhe jashtë vendit, tregojnë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur bëhen përllogaritje mbi raportin polic-banorë, nuk përfshihen asnjëherë shërbimet mbështetëse, por vetëm ato që kanë mbaruar shkollë ose kurse profesionale policie.
#