Pasaportat biometrike, radhë dhe ankesa në Kukës e Berat
Problemet
Nuk janë shpërndarë ende dokumentet për personat që kanë aplikuar në dhjetor të vitit të shkuar
Vonesat e krijuara në shpërndarjen e pasaportave biometrike kanë krijuar pakënaqësi të qytetarëve në Kukës dhe Berat, ku nuk kanë munguar edhe momentet e tensionit. Kështu, paraditen e djeshme, dhjetëra qytetarë beratas janë mbledhur përpara godinës së prefekturës për të protestuar ndaj vonesave në tërheqjen e dokumenteve të reja. Një përfaqësi e tyre zhvilloi një takim me prefektin e Qarkut të Beratit, Kostandin Lefta. Qytetarët u ankuan se ndonëse kanë aplikuar që prej muajit dhjetor, shumë prej tyre nuk kanë mundur të tërheqin pasaportat, për shkak të problemeve me të cilat po shoqërohet procesi i shpërndarjes. Fakti që pranë zyrës së shpërndarjes së pasaportave vepron vetëm një operator për katër rajonet e qytetit të Beratit dhe dhjetë komunat bënë që procesi i shpërndarjes të ecë me hapa tepër të ngadaltë. Ndërkaq, prefekti Lefta u shpreh se mori nga ministria përkatëse premtimin për shtimin e një operatori tjetër shpërndarës. Rreth katër mijë pasaporta biometrike janë prodhuar gjatë muajit janar, por ende nuk janë shpërndarë si pasojë e ngadalësisë me të cilën po shoqërohet ky proces. E njëjta situatë është dhe në Kukës. Nga sporteli i vetëm i shpërndarjes së pasaportave biometrike në Kukës mësohet se ende nuk kanë mbërritur dhe as janë shtypur pasaportat për më shumë se 500 aplikues. Prej një muaji nuk është shpërndarë asnjë pasaportë, edhe pse aplikimet këtë muaj kanë shënuar një numër rekord. Aplikuesit janë të detyruar të mbajnë çdo ditë radhën pranë zyrës së shpërndarjes por kthehen bosh. “Vij çdo ditë në Kukës, bëj dy orë rrugë me furgon për të marrë pasaportën biometrike, por punonjësi këtu më thotë që ende nuk është prodhuar. Kur aplikova më thanë që duheshin vetëm dy javë. Ka kaluar një muaj dhe unë vetëm sorollatem”, shprehet një banor nga fshati Surroj. Problem mbeten edhe shpërndarja e kartave të reja të identitetit. Punonjësit e kompanisë që kryen aplikimet nuk japin sqarime për zvarritjet, ndërsa qytetarët detyrohen të shkojnë çdo ditë të pyesin dhe të kthehen duarbosh.
#