E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja akuzon Ministrinë e Drejtësisë: Shkelët ligjin për dosjen “Fazlliç”

Nishani raportoi në Komisionin e Ligjeve për inspektimet e kryera në Prokurori

Eljona Ballhysa
Deputetët socialistë kanë akuzuar dje ministrin e Drejtësisë për shkelje të ligjit përsa i përket dosjes “Fazlliç”, duke ushtruar presion mbi Prokurorinë e Përgjithshme. Akuzat u bënë dje nga deputeti socialist Saimir Tahiri gjatë mbledhjes së Komisionit Parlamentar të Ligjeve, ku ishte i pranishëm ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani. Ministri Nishani raportoi dje në Komision mbi punën e bërë nga Prokuroria gjatë vitit 2009. Në raportin prej 30 faqesh që Nishani lexoi në Komision vuri në dukje se gjatë inspektimeve që u janë bërë prokurorive janë vënë re shkelje të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, veçanërisht në mosapelimin e masave të sigurisë në rastet kur janë liruar nga gjykatat, si dhe në pushimin e çështjeve që kanë pasur elemente penale. Nishani ka theksuar në fjalën e tij se Ministria e Drejtësisë ka respektuar pavarësinë e institucionit të Prokurorisë.
Debati
U desh pikërisht kjo deklaratë e Nishanit që të nxiste debatin me deputetët socialistë të Komisionit të Ligjeve. Deputeti Saimir Tahiri, në seancën e pyetjeve kërkoi sqarime nga ministri Nishani se pse është ushtruar inspektim dhe është kërkuar dosja “Fazlliç”. Tahiri shtoi se kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë për të marrë dosjen “Fazlliç” nuk ishte gjë tjetër veçse përpjekje për të ushtruar presion politik ndaj Prokurorisë dhe për të intimiduar këtë institucion, ndërsa e cilësoi inspektimin si shkelje ligjore.
“Inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë, në kundërshtim me ligjin, kanë kërkuar në Prokurori dosjen ‘Fazlliç’ duke intimiduar institucionin e Prokurorisë dhe duke ushtruar presion politik mbi këtë institucion, çka solli dhe pushimin e hetimit për këtë çështje”, - është shprehur dje në Komisionin e Ligjeve deputeti socialist, Tahiri.
Në replikë, ministri Nishani u shpreh se kërkesa për inspektim është bërë brenda të gjitha procedurave ligjore. “Inspektimet në sistemin e Prokurorisë kanë qenë në respekt të ligjit. Nuk është konstatuar asnjë rast i vetëm kur nga inspektorët e Ministrisë të jenë tejkaluar kompetencat, madje as nga vetë Prokuroria. Madje rekomandimet për përmirësimin e punës janë mirëpritur nga Prokuroria”, - është shprehur Nishani.
Përkundrazi, deputetët socialistë kërkuan që të ftohej dhe njëherë në Komision prokurorja e Përgjithshme për t’u pyetur rreth raportit të Ministrisë së Drejtësisë. Por kjo kërkesë është hedhur poshtë nga kryetari i Komisionit duke thënë se prokurorja e ka ezauruar raportimin e saj në Kuvend.
Ndërkaq, deputetët e PS-së e cilësuan joprofesional raportin e ministrit Nishani, që është shumë teknik dhe që nuk adreson përgjegjësi për zgjidhjen e problematikës së vërejtur. Deputetja Ermonela Felaj u shpreh se edhe gjuha e përdorur për hartimin e këtij raporti nuk është gjuhë ligjore.
Raporti
Në raportimin e tij në Komisionin e Ligjeve Nishani vuri në dukje se rastet e shkeljeve të konstatuara në veprimtarinë e Prokurorisë për vitin 2009 kanë pasur tendencë në rënie nga një vit më parë. Duke folur për problematikën e hasur në këto inspektime, ministri shprehu shqetësim për atë që e quajti “mbajtjen në dorë të kallëzimeve penale pa një vendimmarrje nga prokurorët për fillimin ose jo të hetimit të saj. Kjo mund të bëhet shkak për lindjen e dyshimeve për afera korruptive”, - nënvizoi ministri i Drejtësisë, Nishani. Më tej ai renditi si probleme shqetësuese të hasura gjatë inspektimit, rastet e pushimit pa arsye të çështjeve penale, analizën e njëanshme të çështjes, si dhe zvarritjen e afateve hetimore. Këto konstatime, sipas Nishanit, janë bërë në disa prokurori, si: në atë të Kavajës, Shkodrës, Tiranës apo Beratit. Ministri i Drejtësisë më tej deklaroi se nga inspektimet e kryera ndaj Prokurorisë janë vënë re një sërë shkeljesh që kanë të bëjnë me moszbatimin e Kodit të Procedurës Penale, si dhe me mosrespektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve nga ana e prokurorëve. Gjithashtu, një tjetër rast i evidentuar nga ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë në raport kishte të bënte dhe me kontradiktën që sipas Nishanit është vërejtur, ndërmjet hetimit dhe aktit të kallëzimit. Sipas ministrit, shumë prokurorë nuk kanë bërë ankim ndaj vendimeve të Gjyqësorit, duke u kompromentuar në këtë mënyrë, tha ai, në moszbatimin e ligjit.

2 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›