Përfundon mandati i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese
Ka përfunduar mandati i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo. Në bazë të ligjit, ai mund të qëndrojë në detyrë deri në emërimin e kryetarit të ri. Bashkë me emërimin e kryetarit të ri pritet që Presidenti të dekretojë edhe 4 anëtarë të rinj për të plotësuar vendet e mbetura bosh pas përfundimit të mandatit të gjyqtarëve Sokol Sadushi, Xhevahir Zaganjori, Petrit Plloçit dhe Admir Thanzes, ndonëse ata po vazhdojnë të qëndrojnë në detyrë deri në zëvendësimin e tyre.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, ka shpjeguar se nuk ka asnjë pengesë ligjore që mund të bllokojë funksionimin e Gjykatës. “Nuk besoj se ka ngërç kushtetues sepse Kushtetuta e ka parashikuar që mandati i gjyqtarit, pavarësisht se nga ana juridike deklarohet i përfunduar, ai vazhdon detyrën deri në zëvendësimin e tij nga pasardhësi. Kryetari vazhdon formalisht të drejtojë mbledhjet, derisa të zëvendësohet nga pasardhësi i tij”, - tha Kristo.
2 Qershor 2010