E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria greke kërkon inventar për pronat e minoritetit në Shqipëri



Së shpejti do të kryhet një inventar në bregdetin e Jugut shqiptar për evidentimin e pronave të minoritetit grek në Shqipëri sipas një financimi të qeverisë greke me OSBE-në. Ministri alternativ i Punëve të Jashtme të Greqisë, Dimitris Droutsas, e bëri të ditur këtë fakt gjatë një fjalimi në Parlamentin grek. Droutsas, duke bërë një analizë të punës së dikasterit të tij, u fokusua në marrëdhëniet e Greqisë me Shqipërinë duke deklaruar se Greqia dominon fort me ekonominë e saj në Shqipëri, dhe kjo falë programeve dhe projekteve të fondeve dhënë në ndihmë të fuqizimit të minoritetit grek në Shqipëri.
“Vihet re një prani e fortë e ekonomisë së Greqisë në Shqipëri, kjo falë krijimin e kushteve të duhura për pjesëtarët e pakicave kombëtare greke në Shqipëri që ata të qëndrojnë në vatrat e tyre, dhe për ata që i kanë lënë këto vatra, të mund të kthehen atje të sigurt”, - është shprehur ministri. Në këtë kuadër ai përmendi projektin e qeverisë greke me OSBE-në për pronat e pakicave greke në Shqipëri, që sipas Droutsas, po has vështirësi për shkak të çështjes ende të pazgjidhur të pronave në Shqipëri. “Për të forcuar pozitën e pakicave kombëtare greke dhe perspektivën për ata që kanë mbetur për t’u kthyer, është shumë e rëndësishme që të zgjidhet problemi lidhur me pronën në Shqipëri. Për këtë qëllim, Ministria e Jashtme greke është bashkëfinancuese e një programi të OSBE-së për inventarizimin e parë dhe të plotë të pronës së minoritarëve në bregdetin jugor të Shqipërisë”, - tha Droutsas. Numri një i Diplomacisë greke shpreson se kjo do të bëhet e mundur jo vetëm për marrëdhëniet e ardhshme mes Shqipërisë dhe Greqisë, por edhe sepse ky është kusht i BE-së ndaj shtetit shqiptar. “Në çdo rast, kursi europian që po ndjek Shqipëria do të ketë rëndësi kyçe për të ardhmen e marrëdhënieve greko-shqiptare. Përparësi e Shqipërisë në këtë drejtim është gjithashtu të sigurojë interesat e pakicave kombëtare greke”, - është shprehur Droutsas.

2 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›