E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhjetëra të burgosur do të lirohen më 28 Nëntor

Janë rreth 250 persona që do të përfitojnë nga amnistia gjatë muajit nëntor, ndërsa lirimi do të bëhet më 28 nëntor. “Si ministër do të më interesonte të ishte e gjerë, sepse edhe të dënuarit mund të kishin më shumë interes për të përfituar, edhe familjarët e tyre, edhe shteti tregohej zemërgjerë në një moment të caktuar, siç është momenti historik i 100-vjetorit të pavarësisë.

 Por, si një politikan dhe si një qytetar, duke pasur parasysh dhe gjendjen e kriminalitetit që është sot në Shqipëri, më është dashur të tregohem i kujdesshëm",  ka deklaruar ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi. Ai bëri me dije se nga amnistia e këtij viti do të lirohen nga dënimi të gjithë personat që u ka mbetur viti i fundit. Pra, ata persona që do të kenë 365 ditë dhe më pak do të lirohen.

 Por, do të përfitojnë dhe disa kategori të tjera si gratë, të cilat janë mbi 55-vjeç, pra të gjitha ato femra të dënuara që në datën 28 nëntor 2012 janë baras ose mbi moshën 55-vjeç, të dënuarit me burgim, që në moshën kur ka kryer veprën kanë qenë më pak se 18-vjeç apo baras me 18-vjeç, apo të miturit.  Do të aplikohet dhe zbritja me 1/4 e dënimit për personat që akuzohen për vepra të lehta penale. Nga ana tjetër,  nuk do të përfitojnë nga amnistia personat, të cilat janë dënuar për  vepra të rënda penale.

 "Nuk përfitojnë  ata që kanë kryer krime kundër njerëzimit, të gjithë ata që kanë kryer vrasje, asnjë nga vrasësit nuk do të përfitojë as edhe një ditë ulje nga amnistia, askush që ka kryer krime kundër njerëzimit, askush që ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë, askush që ka kryer marrëdhënie seksuale me të mitura, askush që ka kryer vepra penale kundër lirisë së personit: mbajtje peng dhe me radhë, askush që ka kryer vepra penale që kanë të bëjnë me prostitucionin, askush që ka kryer vepra penale që kanë të bëjnë me korrupsionin, askush që ka kryer vepra penale që kanë të bëjnë me trafikun e armëve dhe të drogës, si dhe një sërë të tjerash, theksoi ministri Halimi. /Start/

                                                                                             2012-09-27 12:58
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›