E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Do të pranojë të gjitha protestat e socialistëve

Kryeministri i përgjigjet nga Sllovenia paralajmërimit të kreut të opozitës

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, ka deklaruar se nuk është i shqetësuar aspak nga shpallja e protestave nga socialistët dhe ka shtuar se do t’i garantojë të gjitha manifestimet qytetare dhe politike. Në përfundim të vizitës së tij në Slloveni, Kryeministri Berisha është ndalur të japë një prononcim për mediat. Duke iu referuar situatës aktuale politike në vend, se cila do të jetë zgjidhja e shumëpritur për krizën, e cila me sa duket nuk ka përfunduar edhe pas miratimit të komisionit hetimor për zgjedhjet, pasi vetë lideri socialist ka paralajmëruar protesta, Kryeministri është shprehur se opozitës i janë dhënë të gjitha mundësitë për të marrë pjesë në komision, në zgjedhje, sigurisht edhe në protesta, pasi sipas tij Shqipëria është një vend i lirë. “Shqipëria është një vend i lirë. Opozita ka të gjitha hapësirat për të marrë pjesë në Parlament, për të marrë pjesë në komision, për të protestuar. Të gjitha këto i ka dhe do t’i ketë të garantuara në një sistem demokratik”, theksoi kreu i qeverisë. Duke cituar deklaratën e komisionerit Fule, Kryeministri Berisha është shprehur, se ajo ishte shumë e qartë dhe kërkonte respektimin e Kushtetutës dhe realizimin e transparencës, ndërsa shton se vullneti i opozitës do të bënte të mundur transparencën e procesit zgjedhor. “Mendoj se Parlamenti shqiptar po tregon një frymë dhe një vullnet bashkëpunimi të paqortueshëm. Mendoj se deklarata e djeshme e komisionerit Fule, i cili siç më deklaroi mua, i ka deklaruar edhe Edi Ramës, ka qenë deklaratë totalisht dhe tërësisht në emër të Komisionit Europian, pra, është deklaratë e institucionit nga i cili ai erdhi dhe përbën me të vërtetë një mundësi shumë të madhe. Kushtetuta e Shqipërisë duhet të respektohet, transparenca duhet të realizohet. Që të dyja këto për Shqipërinë janë 100 për qind të mundshme. çfarë thotë komisioni? Thotë transparencë të plotë. Por mendoj se asgjë nuk mund të jetë dhe askush nuk mund të kërkojë që të dalë mbi Kushtetutën, mbi ligjin, mbi gjykatat e vendit. Nëse ekziston vullneti dhe dëshira nga ana e opozitës, ai komision është i aftë të realizojë transparencën e plotë, absolute dhe totale të procesit zgjedhor. Shteti shqiptar, demokracia shqiptare i ka të gjitha instrumentet të gatshme për realizimin e saj”, përfundoi Berisha.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›