Berisha: Do zgjidhim edhe dosjen e fundit të pronave
ADI SHKEMBI
Kryeministri Sali Berisha premton zgjidhjen e çështjes së pronave, por kërkon durim dhe gjakftohtësi nga qytetarët. Duke folur në hapjen e fushatës elektorale të Partisë Republikane, kreu i qeverisë mbështeti një prej pikave më të panegociueshme të kësaj partie, kthimin e pronave te pronarët. Sipas tij, PR-ja ka dhënë kontribut të madh në zgjidhjen e kësaj çështjeje, por shtoi se ka bërë edhe kompromise të vogla, pa të cilat nuk mund të ecet. “Dhe cili është bilanci? Sot bilanci është: mbi 700 mijë familje të pronësuara nga ky koalicion që nga viti ’92 e deri më sot. Nuk e mohoj që janë mijëra e mijëra dosje ende të pazgjidhura, ndaj dhe të zotohemi sot së bashku se do të rendim pas gjithë secilës prej tyre, sepse ne kemi moralin, kemi përkushtimin dhe kemi zotimin të shkojmë në zgjidhjen e secilës prej tyre”, u shpreh kreu i qeverisë. Berisha theksoi se në këto katër vite koalicioni i djathtë u ndesh me falsifikime të mëdha në dosjet e pronësisë. “Po i çmontojmë një nga një, por këtu duhet gjakftohtësi dhe durim. Në qoftë se angazhohemi t’i çojmë këto dosje deri në fund, nuk duhet të harroni se gjejmë pengesa që shtrihen, dhe vetë familje, por kjo nuk do të thotë që shteti të heshtë dhe që qeveria jonë nuk do të merret me këto probleme. Unë ju garantoj se qeveria ime do të bëjë çdo përpjekje deri në zgjidhjen e dosjes së fundit të problemit të pronësisë”, vijoi më tej Kryeministri. Para republikanëve, Berisha vlerësoi kontributin e kreut të kësaj partie, Fatmir Mediu, për të cilin u shpreh se besoi tek anëtarësimi në NATO në një kohë që të paktë ishin ata që e mendonin këtë hap. “Jam dëshmitar i kontributit të veçantë dhe të rëndësishëm që kryetari juaj ka dhënë në projektin më madhor të këtij kombi, pas pavarësisë së Shqipërisë, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Fatmir Mediu ishte një nga të parët ministra dhe drejtues që i besoi mundësisë së shndërrimit në realitet të atij projekti, në një kohë kur besimet për të ishin në nivelet minimale”, theksoi më tej Berisha. Kreu i ekzekutivit konfirmoi sërish se një nga vendimet e para të qeverisë së djathtë pas zgjedhjeve të 28 qershorit do të jetë pikërisht shkurtimi i shpenzimeve të zyrtarëve të lartë. “Zyrtarët do të jenë në dietën më të rreptë se kurrë në historinë e këtij vendi. Ju mos mendoni se vlera 20, 30 apo 100 milionë euro në vit s’është kaq e rëndësishme, sepse vlera morale e këtij veprimi bën që ky vend të ketë miliarda më shumë. Ndaj edhe ne në Parlamentin e parë do të votojmë ligjet për dietën e qeverisë dhe për dietën e zyrtarëve”, theksoi më tej kreu i ekzekutivit. Sipas tij, “ne do të vazhdojmë të konsolidojmë revolucionin tonë fiskal. Ne i besojmë lirisë dhe magjisë së saj. Të kujtojmë se ku ishim në njëzet vjet më parë? Mbrëmë po i tregoja një mikut tim, kongresmenit Robert Aderhold, se u bëra President me pagë 16 dollarë. Por, si u bë Shqipëria kështu siç është sot? Liria e bëri Shqipërinë, pasioni ynë për lirinë dhe besimi ynë për lirinë”.