Mediu: Të zgjidhet sa më shpejt çështja e pronave
Partia Republikane kërkon zgjidhjen sa më shpejt të çështjes së pronësisë në Shqipëri. Në hapjen e fushatës elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit, kryetari i kësaj partie, Fatmir Mediu, duke përfituar edhe nga prania e kryeministrit Berisha e fokusoi fjalën e tij pikërisht në këtë çështje. “Ne nuk do të ndalemi kurrë deri në zgjidhjen e plotë të këtij problemi. Synimi ynë është një dhe i vetëm: të jemi anëtarë të denjë të Bashkimit Evropian, por për t’ia arritur këtij qëllimi duhet të jemi fillimisht të denjë për familjen tonë, për kombin tonë, të jemi pronarë të vetvetes dhe të pronave tona. Për këtë arsye ne duhet të luftojmë deri në fund për të marrë atë që na përket me ligj. Kërkojmë zgjidhjen urgjente të çështjes së pronës dhe kthimin e pronës te pronari i ligjshëm, tek ata që e kanë trashëguar në mënyrë të ligjshme”, u shpreh kreu i republikanëve. “Ne u zotuam në 2005-ën së bashku me Kryeministrin Berisha, që do të ndryshonim Shqipërinë dhe këtë e bëmë me anëtarësimin e Shqipërisë me të drejta të plota në NATO, nesër sërish së bashku do të luftojmë me mish e me shpirt për t’u anëtarësuar në BE”, tha kryerepublikani Mediu. Ndërsa kryetari i Asamblesë Kombëtare, Sabri Godo, tha gjatë fjalës së tij se koalicioni i djathtë mbajti premtimet e katër viteve më parë. “Maxhoranca kërkon ballëhapur një mandat të dytë qeverisës, sepse maxhoranca nxori nga situata shumë të vështira vendin në këto katër vjet. Askush nuk mund t’i mohojë rezultatet e katër viteve qeverisjeje, sepse ne kemi bërë çdo gjë në mënyrë racionale për t’i shërbyer kombit”, u shpreh Godo. Sipas themeluesit të republikanëve: “Do të qëndrojmë në krah të partive aleate në këto zgjedhje, por do të luftojmë për vete, sepse i tillë është ligji. Duhet të dërgojmë në Kuvend deputetët tanë, duhet të jemi në qeverisje për të vazhduar reformat e nisura”.