“Nuk na prek kriza, duhen ujë e drita”
DURRES - “Nuk jemi të infektuar nga kriza botërore, por duam ujë, drita dhe infrastrukturë”. Sipërmarrësit e hoteleve thuajse njëzëri shprehen se nuk i druhen frikës së krizës botërore, aq shumë sa mungesës së kushteve më elementare, një sëmundje kronike, kjo për turizmin shqiptar. Në takimin e radhës të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Durrës sipërmarrësit folën me tone optimiste për ardhmërinë e këtij sezoni turistik. “Rezervimet në njësitë turistike në Durrës aktualisht janë krahasueshmërisht më të mëdha se një vit më parë”, pohoi kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë në Durrës, Andrea Xhovara. Kriza ekonomike duket se ka prekur fluksin e emigrantëve shqiptarë që kthehen për pushime në atdhe, por ky tregues nuk ndikon dukshëm në industrinë e turizmit. Mbi 80 hotele ushtrojnë aktivitetin e tyre nga “Ura e Dajlanit” e deri tek “Përroi i Agait”. Këto njësi të cilat paguajnë taksat kanë ngritur në këtë institucion mjaft probleme që kanë të bëjnë me infrastrukturën bazë. “Problemi më i madh për turizmin nuk është kriza botërore, por uji, dritat dhe infrastruktura shqiptare”, tha Xhovara. Sipas tij për të pushuar këtë verë në Durrës ka prenotime të shumta, jo vetëm nga Maqedonia dhe Kosova, që janë treg i sigurt turistik, por edhe nga vendet nordike, një fenomen ky i hasur shumë rrallë më parë. Ai këmbëngul për rritje të cilësisë së shërbimeve, duke këshilluar sipërmarrësit e hoteleve që çmimet të mbeten të njëjta me ato të vitit të shkuar. o.u