E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Dua vepra gjigante edhe më 2010

Kryeministri i vendit, Sali Berisha, dëshiron që buxheti i shtetit i Shqipërisë të përqendrojë forcën e vet investuese në pak projekte, një dëshmi kjo e dëshirës për vepra gjigante.

"Kjo qeveri ka krijuar një traditë të dobishme për buxhetin, në themel të të cilit ka qenë antifragmentarizmi. Në vitin 2005 e kemi gjetur të fragmentarizuar në 5 mijë zëra që, përkthyer ndryshe, do të ishte një avullim i buxhetit. Gjatë viteve jemi përballur me sukses me këtë fenomen", u shpreh Kryeministri dje në mbledhje qeverie.

Gjatë tre viteve të fundit, Shqipëria ka pasur buxhetet më të përqendruara në historinë e vet postkomuniste. Pjesa dërrmuese e fondit të investimeve publike ka shkuar gjatë viteve të fundit në rrugën Durrës-Kukës. Sipas Kryeministrit, kjo metodë e menaxhimit të buxhetit "është një rrugë e mirë kundër korrupsionit". Berisha nuk tha se kush do të jetë projekti i ardhshëm madhor i vendit. Për vitin e ardhshëm, qeveria ka planifikuar të shpenzojë për investime 90 miliardë lekë, (rreth 690 milionë euro), nga të cilat, 26 për qind do të financohet nga kredi nga jashtë, ndërsa 48 për qind me borxhe të brendshme.

Përqendrimi i buxhetit në pak projekte ka krijuar atë që ekspertët e quajnë "rrezik nga mungesa e diversifikimit". Në rastin e rrugës Durrës-Kukës p.sh., gabime apo keqdashje kanë shkaktuar sakaq qindra milionë euro shpenzime të paparashikuara, të cilat kanë vënë në vështirësi serioze financat e vendit, ndërkohë që rentabiliteti ekonomik i përdorimit të këtyre fondeve është shumë i dyshimtë.

Për më tepër, shumë ekspertë kanë kritikuar ashpër fiksimin e qeverisë me projektet e infrastrukturës së transportit, duke paralajmëruar se rrugët janë vetëm një nga nevojat e vendit. Gjatë viteve të fundit, mbi 70-80 për qind e fondit të investimeve, i është dedikuar ndërtimit të rrugëve të reja, duke harruar nevojat e vendit për infrastrukturë energjetike apo për furnizim me ujë e kanalizime.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›