E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekët e Sanatoriumit rrezikojnë kongresin, s‘marrin dot vizat austriake

Një grup prej 10 mjekësh, në Spitalin Universitar të Sëmundjeve të Mushkërive "Shefqet Ndroqi" në kryeqytet rrezikojnë që të mos marrin pjesë në një kongres ndërkombëtar, që do të zhvillohet në Vjenë të Austrisë, për shkak të mosmarrjes së vizave. Që prej dy javësh, grupi i mjekëve të specializuar për sëmundjet e mushkërive nuk arrin dot as të fiksojë një takim pranë ambasadës së Austrisë, për pajisjen e tyre me viza në përputhje me rregullat e vendosura nga kjo përfaqësi diplomatike. Por duket se përpjekjet dyjavore të këtyre mjekëve kanë shkuar dëm dhe tashmë ata gjenden përballë faktit, që mund të humbasin pjesëmarrjen në kongresin e shoqatës europiane të sëmundjes së mushkërive, që do të mbahet në datat 12-15 shtator në kryeqytetin austriak.

"Kemi telefonuar vazhdimisht në numrin e publikuar në faqen zyrtare të ambasadës austriake për të prenotuar takimin për intervistën. Na është kërkuar të depozitojmë numrin e llogarive ose kartave. Por edhe pse i kemi dhënë këto detaje përgjigjja është e çuditshme, pasi nuk na e njeh këtë të dhënë. I jemi drejtuar edhe ambasadës për një takim, por askush nuk na ka pritur". Kështu shprehet mjeku Hasan Hafizi, duke sqaruar publikisht atë që ai e konsideron si një situatë absurde. Sipas tij, qeveria austriake ka investuar në spitalin "Shefqet Ndroqi" mijëra euro për pajisje dhe aparatura ndërsa e koncepton si të papranueshëm faktin që një grup mjekësh të mos munden dot që të pajisen me viza ndonëse po u nënshtrohen të gjitha rregullave të vendosura nga kjo përfaqësi diplomatike.

Mjeku Hafizi pohon se ata janë ftuar nga shoqata europiane e sëmundjeve të mushkërive jo vetëm për të qenë pjesëmarrës në këtë kongres, por edhe për të ligjëruar. Ai shton se i kanë të gjithë dokumentet që u duhen, duke filluar që nga ftesa, regjistrimi i pjesëmarrjes në kongres, prenotimet për akomodimin, por sërish nuk arrijnë që të pajisen me viza. Ndërkohë që edhe në përputhje me Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit dhe regjimit të lehtësimit të vizave, kategoria e profesorëve, shkencëtarëve e studiuesve hyn te të privilegjuarit. Ata duhet të trajtohen me viza, me procedura më të lehtësuara sesa të tjerët. Por duket se jo gjithmonë ndodh kështu në vendin tonë në përballje me përfaqësitë e huaja diplomatike.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›