E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria: Plani për fshatrat turistikë

Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje se do të miratojë një ligj të veçantë për t‘i dhënë mundësi pronarëve të fshatrave turistikë, të cilët më herët kanë marrë tokë shtetërore me qira, të blejnë tokën dhe pastaj "të gëzojnë shtëpitë e veta të fundjavës".

"Borgjezia e re duhet që në mënyrë përfundimtare të blejë me çmim tregu tokën që vilat e tyre kanë zënë në fshatrat turistike dhe këto fonde kalojnë për pronarët", u shpreh Berisha.

Gjatë viteve ‘90 dhe 2000, disa qindra hektarë tokë bregdetare, e cila konsiderohet me origjinë pronësie shtetërore, iu dha me qira subjekteve të ndryshme përmes procedurave krejtësisht jo transparente, me synimin për të ndërtuar fshatra turistikë. Shumica dërrmuese e tokave të dhëna me qira apo emfiteozë, gjenden në zonën e Golemit në Durrës, por sipërfaqe të mëdha u dhanë edhe në Gjirin e Lalëzit e në zona të tjera bregdetare. Këto subjekte fituan edhe statusin e personit të stimuluar në fushën e turizmit, gjë që i lejoi të importojnë mallra pa paguar detyrime doganore. Por të ashtuquajturat "fshatra turistikë" në përfundim u kthyen thjesht në zona rezidenciale me vila, ku kurrfarë aktiviteti turistik nuk u krye asnjëherë. Për më tepër, për shumë vite me radhë, qiraja e tokës nuk u pagua dhe as nuk u kërkua nga asnjë institucion publik. Për më tepër, në shumicën dërrmuese të rasteve, nëpër parcelat e dhëna me qira u ndërtua mbi normat e lejuara ligjore të shfrytëzimit të tokës. Por duke qenë se "borgjezët e rinj", siç i quan Kryeministri, janë njëkohësisht edhe qeveritarë të rinj e të vjetër, asnjë zyrtar i shtetit nuk guxoi të kërkonte zbatimin e ligjeve, duke i kthyer këto zona në krahina autonome ku ligjet e shtetit nuk pinë ujë.

Megjithatë, toka mbetet ende e regjistruar nën pronësi publike. Edhe shumë nga qeveritarët e sotëm kanë deklaruar se zotërojnë vila në "fshatra turistike". Në shumë raste, investitorët e fshatrave turistikë kanë zënë sipërfaqe më të mëdha toke nga ajo e përcaktuar në kontratë. Për këtë arsye, Kryeministri sugjeron që investitorëve të fshatrave turistikë t‘u lejohet të blejnë tokën ku kanë ndërtuar vila.

"Në këtë mënyrë, ata do t‘i gëzojnë edhe më shumë shtëpitë e tyre në fundjavë///////// në. Statusi i fshatrave turistikë është një problem i ndërlikuar gjatë rrugës, por tani do t‘i japim përgjigje përfundimtare në interes të dyanshëm, të atyre që i posedojnë shtëpitë dhe të pronarëve, sepse të gjitha këto fonde do të kalojnë për pronarët", u shpreh Berisha.

Çmimi

Kur flet për çmim tregu, qeveria nënkupton një seri çmimesh referencë të miratuara nga vetë Berisha dhe që përcaktojnë vlerën e tokës në të gjithë sipërfaqen e vendit, duke filluar nga qendra e Tiranës deri në fshatrat më të humbura. Çmimet referencë të tokës janë përcaktuar duke marrë parasysh rentabilitetin e përdorimit të saj për bujqësi dhe variojnë nga 100 deri në 500 lekë për metër katror. Sakaq, që pas zgjedhjeve të 28 qershorit, qeveria e Kryeministrit Berisha ka miratuar me vendime të veçanta, shitje sipërfaqesh toke publike sipas çmimeve referuese, ndërkohë që destinacioni i tokës së privatizuar në këtë mënyrë, nuk ka qenë bujqësia, por industria. Kështu, kërkesa e Kryeministrit Berisha për "blerjen e tokës me çmimin e tregut", nënkupton në fakt, privatizimin e tokës publike përkundrejt çmimeve qesharake. Të ardhurat nga kjo metodë shitjeje, sipas Kryeministrit, do t‘i takojnë borgjezëve të vjetër, të cilët gjithashtu janë pjesë e qeverisë dhe që gjatë viteve të shkuara, kanë qenë mes fatlumëve të goglave për shpërndarjen e fondit të kompensimit të ish-pronarëve.

Projektohen fshatra të reja turistike në Vlorë

Kryeministri Sali Berisha u takua dje me dr. Mehmet Tatlici, president i një grupi biznesi turk, të quajtur "TAT Group- Devel", i cili është i interesuar të investojë në ndërtimin e fshatrave turistikë në Vlorë, si dhe ka ide për energji të rinovueshme e për të marrë me koncesion rrugë. Lajmi u bë i ditur nga zyra e shtypit e Kryeministrit.

"Investitorët turq parashikojnë që për projektet e energjisë së rinovueshme të investojnë në rajonin Tepelenë-Sarandë. Ndërkohë që kërkojnë të marrin me koncencion ndërtimin e Rrugës së Arbërit, si dhe ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Ndërsa në fushën e turizmit, kompania turke parashikon të ndërtojë një rezortë turistike në Vlorë", - thotë njoftimi për shtyp.

Aktualisht nuk ka asnjë të dhënë mbi ekzistencën e grupit TAT. Nga kërkimi në google, rezulton se kompania e interesuar për projekte të tilla me vlerë marramendëse nuk ka një faqe në internet, gjë e pazakontë kjo për kompani që kanë asete më të mëdha se një kioskë.

Takimet me biznesmenë të tillë janë të zakonshme për Kryeministrin Berisha. Dy vite më parë qeveria njoftoi se kryeministriishte takuar me një biznesmen të quajtur Samuel Grossman, i cili pati premtuar 3.5 miliardë dollarë investime në turizëm në bregdetin e jugut, në porte, aeroporte, termocentrale etj. Që nga ajo kohë, biznesmeni nuk është bërë më i gjallë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›