E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autostrada e re, paralajmërohet protesta e pronarëve të tokës

Drejtuesit e njësive vendore, ku do të kalojë autostrada Shkodër-Hani i Hotit, kanë dalë në mbrojtje të pronarëve të tokës. Sipas tyre, çmimi me të cilin është vlerësuar toka, është krejtësisht i papranueshëm, duke paralajmëruar edhe rezistencën e fshatarëve që nuk do të lejojnë fillimin e punimeve. Një qëndrim i tillë është mbajtur në një takim të organizuar dje nga Prefekti i Qarkut Shkodër. Kjo autostradë, që lidh Shqipërinë me Europën Perëndimore në rrugë tokësore pritet të fillojë në shtator, por problemet e shpronësimeve duket se do të bëhen një shqetësim serioz për bllokimin e punimeve. Kryetari i Komunës Kastrat, Gjovalin Vreshti, ku do kalojë 1/4 e autostradës, thotë se është absurde që toka është vlerësuar 2160 lekë të vjetra, sa një metër plastmas, në një kohë që toka në këtë zonë kushton nga 1500-5000 lekë. Sipas tij, në Kastrat do të kalojë 13 km autostradë dhe asnjë metër tokë nuk i përket shtetit. E gjitha është me pronarë dhe kjo, pohon ai, me siguri do të krijojë përplasje të forta me fshatarët. Një tjetër problem i ngritur nga kryetari i Komunës Bajzë është fakti se rruga do të kalojë shumë pranë shtëpive, duke rrezikuar njerëzit që jetojnë aty pranë, pasi shtëpitë do të jenë vetëm 6-7 metra larg rrugës. Nga ana tjetër, Bardhok Ruçi, përfaqësues i Drejtorisë së Shpronësimeve, ka kërkuar që "të bëhet verifikimi i numrit të saktë të objekteve që do të prishen, si edhe emrat e pronarëve". Nga dokumentet që disponon MPPTT-ja, rreth 140 është numri i objekteve që do të prishen dhe më pas do të kompensohen në të gjithë gjatësinë e rrugës. Ndërsa 390 është numri i pronarëve të tokës. Por nga verifikimet në vend dhe ankimimet e deritanishme rezulton se numri i pronarëve është rreth tri herë më i madh se sa shifra zyrtare, pasi janë rreth 950 persona që presin të kompensohen. Është konsideruar si një problem shumë serioz edhe mungesa totale e regjistrimit të pasurive në dy fshatra, ku kalon ky aks rrugor, në atë të Pjetroshanit dhe të Grudë-Fushës. Kjo gjë mendohet ta vështirësojë procesin e kompensimeve. Rruga Hani i Hotit është tejet e amortizuar. Prej një dekade nuk është ndërhyrë, me idenë se do të ndërtohet autostrada e re.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›