E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredimarrja, zbulohet letra sekrete e Fullanit

Banka e Shqipërisë i ka dërguar një letër konfidenciale Ministrisë së Financave, duke e lajmëruar se nuk ka ndër mend të vijojë kreditimin direkt të shpenzimeve të buxhetit dhe duke u ankuar se kjo praktikë po rrezikon pavarësinë ligjore të politikës monetare të vendit, bëhet e ditur nga burime të mirinformuara.

"Letra u dërgua pasi qeveria e bëri praktikë të zakonshme të kërkonte ‘para borxh‘ nga Banka e Shqipërisë për të mbuluar shpenzimet e veta të ekzagjeruara", tha një prej njerëzve të paktë që e ka lexuar letrën në kushtet e konfidencialitetit.

E pyetur nga "Shqip", Banka e Shqipërisë tha se "komunikimi me Ministrinë e Financave është konfidencial, ndërsa kredia direkte i nënshtrohet një rregulloreje të posaçme". Ministria e Financave nuk iu përgjigj kërkesës së "Shqip" për informacion.

As Banka e Shqipërisë dhe as Ministria e Financave nuk kanë folur hapur për praktikën e huamarrjes direkte, një praktikë që zbatohet për herë të parë në shumë vite në Shqipëri dhe që ka alarmuar shumë ekspertë. Bilanci zyrtar i BSH pasqyron huamarrje direkte të qeverisë në muajt dhjetor, janar, mars dhe prill. Përveç kredive direkte me vlerë dhjetëra milionë euro, BSH është detyruar të blejë një pjesë të borxhit publik të vendit, që u dorëzua nga bankat e nivelit të dytë gjatë krizës së likuiditetit të muajit dhjetor.

Kredia direkte

Marrja e borxheve drejtpërsëdrejti nga Banka Qendrore është fenomen i zakonshëm i vendeve që nuk kanë bankë të pavarur politikisht dhe për pasojë, zhyten në kaos financiar. Kredia direkte nuk është asgjë tjetër veç emetimit të parasë shtesë, e cila konvertohet menjëherë në zhvlerësim të monedhës dhe inflacion. Që nga viti 1997, kur shumica dërrmuese e shpenzimeve buxhetore u mbuluan nga Banka e Shqipërisë, me këmbënguljen e FMN-së, këtij fenomeni iu dha fund gradualisht dhe që nga viti 2002, qe zhdukur.

Ligji për Bankën e Shqipërisë i lejon kësaj të fundit të japë kredi direkte për qeverinë në një masë të kufizuar dhe për një periudhë të kufizuar, "vetëm në raste të jashtëzakonshme". Se çfarë situate konsiderohet "e jashtëzakonshme" dhe çfarë jo, kjo mbetet e pasaktësuar ligjërisht.

Ekspertët shqetësohen për faktin se kjo praktikë sjell thjesht rritje të lekut shqiptar të pranishëm në treg dhe sjell automatikisht zhvlerësim të monedhës kombëtare, gjë që ka ndodhur sakaq. Qeveria iu drejtua Bankës së Shqipërisë për kredi direkt në periudhën para zgjedhjeve, kryesisht për shkak të shpenzimeve të stërmëdha për qëllime paraelektorale. Qeveria rriti pagat dhe pensionet dy muaj më herët se zakonisht, si dhe tejkaloi "shpenzimet operative" për shkak se administrata publike qe shumë e ngarkuar me fushatë. Për pasojë, kërkesa për para ishte shumë e madhe. Sasia e kredisë direkte të marrë nga qeveria gjatë kësaj periudhe nuk qe shumë e madhe, sipas ekspertëve, por ajo mjaftoi të ndikojë në kursin e këmbimit, duke zhvlerësuar monedhën kombëtare me rreth 6.5 për qind, si dhe duke detyruar Bankën e Shqipërisë të shesë valutë nga rezerva valutore e vendit në treg për të shmangur zhvlerësim të mëtejshëm.
"JCR ratings", një kompani turke e paguar nga qeveria shqiptare për të vlerësuar rrezikshmërinë e borxhit publik, e uli vlerësimin për vendin tonë në prill nga "borxh me perspektivë pozitive" në "borxh me perspektivë negative", duke përmendur në mënyrë eksplicite "shpenzimet populiste paraelektorale të qeverisë", si shkak për këtë.

Letrat e BSH

Letra të tilla paralajmëruese nga Banka e Shqipërisë për qeverinë janë bërë në të shkuarën pjesë e debatit politik. Por letrat kanë vijuar të mbeten konfidenciale dhe publiku nuk është informuar kurrë nëse letrat përmbanin paralajmërim të qartë apo thjesht një paralajmërim indirekt. Në vitin 1996, Banka e Shqipërisë i dërgoi disa letra qeverisë në lidhje me situatën e krijuar me skemat piramidale. Vite më vonë, u pretendua se këto letra përmbanin paralajmërim për rrezikun, por përmbajtja e letrave nuk u bë publike kurrë.

Ligjërisht, Banka e Shqipërisë ka për detyrë të këshillojë qeverinë për politikat fiskale të vendit si dhe të paralajmërojë publikun e gjerë për të gjitha rreziqet financiare që i kanosen vendit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›